Toni Kroos vendosi t’i japë lamtumirën përfaqësueses gjermane për t’iu dedikuar klubit të Realit të Madridit dhe për të pasur më shumë kohë për familjen, megjithatë një tjetër mesfushor i “panzerave” ka konfirmuar se do të vijojë të japë ende kontributin e tij.

Bëhet fjalë për 30-vjeçarin me origjinë turke, Yilkay Gundogan, i cili në një intervistë për mediat gjermane ka zbuluar se ka folur gjatë me trajnerin Hansi Flick, ndaj të dy bashkë kanë vendosur që të vijojë të mbajë veshur fanellën e përfaqësueses.

“Kam telefonuar Hansin dhe ai më ka shpjeguar projektin e tij në përfaqësuese e njëkohësisht edhe rolin tim aty. Mund të konfirmoj se kapitulli im në përfaqësuese nuk është mbyllur ende, pasi kam ende edhe shumë për të dhënë”, deklaroi Gundogan.

Gjermania i dha fund Europiani që në fazën e 1/8-ave, pasi u eliminua nga Anglia, teksa mesfushori 30-vjeçar nuk e fsheh zhgënjimin për performancën e dobët, por thekson se “panzerat” do të kthejnë faqe menjëherë, për të bërë një përfaqësim dinjitoz në Katar 2022.

“U zhgënjeva shumë për eliminimin, të cilin e vuajta edhe gjatë pushimeve. Pas bisedës me Flick, jam i bindur që do të rikthehemi të bëjmë sërish lojëra të bukura e paraqitje dinjitoze, pasi objektivi ynë i radhës është Kupa e Botës në Katar”, tha futbollisti i Manchester City-t.

Top Channel