Detajet nga atentati në Lushnje/ I ulur në tavolinë me miqtë, autorët ekzekutuan nga makina administratorin e lokalit (Emri+Pamjet)

23/08/2021 22:38

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e ndodhur në Lushnje, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën pesë të tjerë.

Dyshohet se Bledar Muça, 34-vjeç, administratori i lokalit ku edhe ndodhi ngjarja, në pedonalen e qytetit, është personi i cili ka humbur jetën. Po ashtu dyshohet edhe për 5 persona të plagosur, shtetasit Judin Velo, 32 vjeç, Ervis Tafa dhe Sara Liçi, 24 vjeçe, Eksara Sauli 26 vjeçe, Majlinda Gjyla 66 vjeçe të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Top Channel ka siguruar edhe pamje nga vendngjarja ku është ekzekutuar 34-vjeçari. Mësohet se autorët kanë qëlluar nga dritarja e makinës, që dyshohet se ishte me targa italiane, në drejtim të Muçës, i cili ka qenë i ulur në tavolinë, në ambientet e brendshme të lokalit, nën shoqërinë e disa personave të tjerë.

Muça është transportuar menjëherë drejt spitalit por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra. Ndërkaq, në momentin që ka ndodhur ngjarja në lokal ndodheshin edhe persona të tjerë.

Njoftimi i parë i policisë:

“Sot rreth orës 22:00, në një lokal në pedonalen e qytetit, është qëlluar me armë zjarri dhe për pasojë ka ndërruar jetë shtetasi B. M dhe kanë mbetur të plagosur shtetasit J. V., 32 vjeç, E. T dhe S. L., 24 vjeçe të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve”, thuhet në njoftimin e bërë nga policia.

Ndërkohë në fshatin Thanasaj, Lushnjë, është gjetur i djegur një automjet i cili dyshohet se është i autorëve. Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe po vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorëve dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Njoftimi i dytë i policisë:

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen në pedonalen e qytetit Lushnjë, të plagosur jashtë rrezikut për jetën janë edhe shtetaset E. S., 26 vjeç dhe M. Gj., 66 vjeçe. Në fshatin Thanasaj, Lushnjë, është gjetur i djegur një automjet i cili dyshohet se është i autorëve. Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorëve të ngjarjes.

FOTO GALERI
4/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA