8-vjeçarja nxjerr shpatën e lashtë nga liqeni dhe interneti menjëherë e quan ‘mbretëreshë’ (fotot)

23/08/2021 21:36

Shkrimtari britanik Shakespeare paralajmëronte më herët se “disa lindin të mëdhenj, disa të tjerë arrijnë madhështinë, ndërsa të tjerëve madhështia u hidhet sipër.”

Dhe në fakt gjatë historisë, fati ka pasur mënyra nga më të ndryshmet për të sjellë në pushtet të zgjedhurit, si për shembull me ndihmën e hyjnive me ide politike, algoritmeve të rrjeteve sociale, apo nxjerrjes së shpatës nga guri prej të super të talentuarve, shkruan me ironi rrjeti iflscience.com.

Prandaj dhe kur vajza 8-vjeçare e quajtur Saga Vanecek nxorri një shpatë të lashtë nga liqeni suedez Vidöstern, njerëzit e kuptuan shpejt se çfarë fati donte të tregonte.

8 vjeçarja suedeze Saga, tregon: “Isha jashtë në ujë, duke hedhur shkopinj e gur për të parë sesa larg do të shkonin, dhe më pas gjeta këtë si shkop”.

“E mora dhe më pas do ta hidhja përsëri në ujë, por kishte një dorezë dhe ishte si me majë në fillim, si dhe i ndryshkur tërësisht. E ngrita në ajër dhe thashë ‘Babi, gjeta një shpatë’. Sapo e pa, ai erdhi i interesuar”, thotë vajza.

Pasi kontrolloi rrotull për ndonjë ide, babai i Sagas kontaktoi me arkeologen Annie Rosén, të muzeumit Jönköpings Läns.

“Kur pashë fotot m’u bë mishi kokrra-kokrra. U detyrova të kthehem menjëherë megjithse isha me pushime,” tha Rosén për rrjetin lokal Värnamo Nyheter.

Shpata ishte e ruajtur më së miri, 85 centimetra e gjatë, madje megjithë këllëfin e saj prej druri e lëkure.

Fillimisht ekspertët besonin se shpata ishte rreth 1,000 vjet e lashtë, por tani ata besojnë se objekti daton ndoshta prej shekullit të 5-të ose të 6-të.

Zbulimi i papritur bëri që arkeologë e studiues të kërkojnë në liqen për të tjera objekte te lashta.

“Ne nuk e dimë përse shpata duhet të ishte aty,” tha Mikael Nordström i muzeumit Jönköpings Läns Museum. “Kur kërkuam aty para një javë zbuluan një tjetër objekt prehistorik, një karficë e thuajse të njëjtës periudhë me shpatën, prandaj mund të kemi të bëjmë me një vend sakrifice. Fillimisht ne besonim se liqeni mund të kishte qenë varrezë, por nuk besojmë më se është kështu.”

Por për rrjetet sociale arsyeja e shpatës është e qartë: Saga, ashtu si dhe 7-vjeçarja Matilda para saj, mund të mos jetë heroina që pritej, por heroina për të cilën audiencat kanë nevojë.

FOTO GALERI
1/7
Vajza 8-vjeçare e quajtur Saga Vanecek nxorri një shpatë të lashtë nga liqeni suedez Vidöstern, dhe u quajt shpejt “mbretereshe” ne rrjet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA