Një 35-vjeçar është vënë nën hetim, pasi u kap me 24.980 euro të padeklaruara në Kapshticë.

F.R. banues në Pogradec po udhëtonte me makinën tip “Opel” drejt Greqisë.

“Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi. Policia Kufitare, në bashkëpunim me autoritetet doganore, parandalojnë dhe godasin një rast të mosdeklarimit të një shume parash në euro. Procedohet penalisht një shtetas. Sekuestrohen 24.980 euro të padeklaruara.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me autoritetet doganore, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm automjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin F. R., 35 vjeç, banues në Pogradec.

Gjatë kontrollit të ushtruar, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 24.980 euro, sasi të cilën ky shtetas nuk e kishte deklaruar”, shkruan policia.

Veprimet  u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, ndërsa materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.

Top Channel