Makina bie në kanal, 2 viktima/ Ngjarja në Marinzë, ishin punonjës të një kompanie sigurie private 

22/08/2021 19:28

Dy punonjës të një kompanie sigurimi humbën jetën si pasojë e një aksidenti në zonën naftëmbajtëse të Marinzës.

Automjeti i tyre përfundoi në një kanal vaditës për shkaqe ende të paditura.

Mjeti tip “Mitsubishi” u gjet rreth orës 13:00 nga vetë punonjësit e kompanisë së sigurimit, i përmbysur. Ata filluan kërkimet për dy punonjësit pas shkëputjes së sinjalit të GPS-it për një kohë të gjatë.

Menjëherë u njoftua policia dhe me ndihmën e një vinçi është bërë e mundur nxjerrja e mjetit nga kanali vaditës. Brenda tij ndodheshin edhe dy trupat e pajetë, të cilët sipas ekspertëve nuk kanë mundur të dalin dhe janë mbytur. Polici i identifikoi si Shkëlqim Bega, 54 vjeç dhe Elior Lagjaj, 36 vjeç, Mjeti që kishte përfunduar në kanalin vaditës nuk ishte vënë re as nga kalimtarët dhe banorët e zonës.

Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes me pasojë humbjen e jetës së dy punonjësve të një kompanie sigurimi.

Top Channel