Konyaspori “fluturon” në krye të Superligës së Turqisë falë futbollistëve kuqezi.
Endri Çekiçi dhe Sokol Cikalleshi tundën të dy rrjetën në sfidën kundër Basaksehirit të zhvilluar në qytetin e Konyas, duke i dhënë fitoren 2-1 skuadrës së tyre, që pas dy ndeshjeve të parë ka grumbulluar 6 pikë. Dy lojtarët e përfaqësueses shqiptare dhe 24-vjeçari “dardan”, Zymer Bytyqi, u aktivizuan titullarë dhe përbënin treshen e sulmit të Konyasporit.
Në fakt, ekipi i shqiptarëve e pa veten në disavantazh në fundin e pjesës së parë, kur Ndayishimiye zhbllokoi rezultatin në favor të Basaksehirit.
Vetëm 6 minuta pas nisjes së pjesës së dytë, Çekiçi dhuroi një perlë nga repertori i tij me një goditje të kalibruar në një pozicion të prirët, me topin që përfundoi aty ku bashkohet shtylla me traversën.
Treshja shqiptare realizoi përmbysjen e madhe dy minuta para fundit të kohës së rregullt, kur Sokol Cikalleshi, i shërbyer nga Bytyqi, shënoi të dytin e Konyasporit, që mori një fitore të madhe ndaj një kundërshtari të fortë. Kujtojmë që Cikalleshi ishte vendimtar edhe në ndeshjen e javës paraardhëse me golin e vetëm të takimit me Sivassporin në transfertë.
Top Channel