Një 25 vjeçar identiteti i së cilit nuk është bërë ende i ditur është ekzekutuar me tre plumba në kokë, në Vlorë.

Ai është gjetur nga policia në makinë në rrugën nga Vlorë drejt Babicës.

Viktima ishte duke udhëtuar me një mjet fiat punto me targa TR 3437 R, që ishte në pronësi të një gruaja nga Tirana.

Sipas njoftimit të dhënë nga policia viktima, rreth 25-vjeç, është gjetur pa shenja jete në makinë. Trupi i pajetë i të riut është gjetur në vendin e parë të pasagjerit dhe sipas policisë është goditur mbi tre herë me plumba në kokë, e për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Pasi kanë dëgjuar të shtëna armësh kanë qenë qytetarët ata që kanë lajmëruar policinë. Kjo e fundit menjëherë ka mbërritur në vendngjarje dhe po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave si dhe identifikimin e viktimës.

Policia është duke marrë në pyetje banorët dhe dëshmitarët që mund të kenë parë se me cilët po udhëtonte 25 vjeçari.

Pista e parë e hetimit është një vrasje për pazare të prishura të drogës, ndërsa po shikohet e kaluara e viktimës si dhe thirrjet telefonike që mund të ketë bërë dhe marrë para ekzekutimit.

Top Channel