Gjarpri me zile përdor iluzionin zanor për të gënjyer trurin e njeriut – studimi (fotot)

21/08/2021 21:46

Kërcitja kërcënuese e bishti të gjarprit me zile zbulohet se është shumë më e sofistikuar nga sa mendohej, pasi tingulli i saj krijon një iluzion zanor që bën të duket se gjarpri helmues është më afër kërcënimit nga sa gjendet në të vërtetë, thotë një studim i fundit.

Shkencëtarët besojnë se kërcëllima e strukturës së keratinës së bishtit të tij, kërkon të mbajë larg predatorët, teksa gjarpri gradualisht shton frekuencën e zhurmës kur sulmuesi i mundshëm vijon t’i afrohet.

Së fundmi ata kanë zbuluar se zvarraniku mund të ketë një tjetër armë në arsenalin e tij, ndryshimet e papritura të frekuencës së zhurmës që gënjejnë dëgjuesit e saj.

“Të dhënat tona tregojnë se shfaqja akustike e gjarpërinjve me zile, e cila interpretohet prej shekujsh si një sinjal i thjeshtë për prezencën e gjarprit, është në fakt një sinjal i komplikuar qe kalon përmes specieve”, tha autori kryesor i studimit Boris Chagnaud, profesor neuro-biologjie në universitetin Karl-Franzens-University Graz në Austri.

Chagnaud zbuloi idenë e parë për “sinjalin inteligjent” me frekuenca të larta teksa i afrohej gjarprit në laborator.

Ai vërejti se frekuenca e kërcitjes së bishtit vinte në rritje para se gjarpri të sulmonte, dhe reduktohej teksa kafsha tërhiqej prapa.

Shkencëtarët zbuluan më tej se kur kërcënimi afrohej, frekuenca e kërcitjes rritej gradualisht me 40 Hz.

Chagnaud thotë se gjarpërinjtë realizojnë këtë iluzion të çuditshëm zanor për të krijuar ose sinjalizuar “distancën e tyre të sigurisë”, me sulmuesin e mundshëm. Ai hedh më tej hipotezën se dëgjimi njerëzor ashtu si dhe i gjitarëve të tjerë është shumë i lidhur me frekuencën e kërcitjeve dhe këtë e lidh me distancën nga “kërcënimi”.

Dhe në fakt kur Chagnaud testoi hipotezën me një kërcitje virtuale të bishtit pa ndryshimet e frekuencës, pjesëmarrësit njerëzorë ne test mund të llogarisnin më mirë distancën mes tyre dhe gjarprit.

“Gjarpërinjtë nuk kërcasin bishtin për të njoftuar prezencën e tyre, por ata kanë evoluar një zgjidhje inovative duke përdorur mjetin e tyre të krijimit të distancës zanore, i ngjashëm me  sensorët e makinave për ecjen me marshin e sprapsjes,” tha ai.

“Kërcitja e bishtit të gjarprit ka bashkë-evoluar me perceptimin dëgjimor të gjitarëve të tjerë, me anë të sistemit të testimit dhe gabimit, duke aftësuar sa më mirë që gjarperinjtë të mos shkelen nga njeriu apo kafshë të tjera.”

FOTO GALERI
2/3
Kërcitja e bishtit të gjarprit ka bashkë-evoluar me perceptimin dëgjimor të gjitarëve të tjerë

Top Channel