Talebanët vrasin të afërmin e gazetarit të DW, kërkonin reporterin!

20/08/2021 13:11

Luftëtarët talebanë qëlluan për vdekje të afërmin e një gazetari të DW të cilin po e kërkonin shtëpi më shtëpi, pa e ditur se ai vetë aktualisht ndodhet në Gjermani.

Media e njohur gjermane njoftoi se një familjar i dytë i reporterit është plagosur, ndërsa disa të tjerë arritën të shpëtojnë. Ajo nuk dha detaje të mëtejshme nga incidenti. Drejtori i përgjithshëm i DW, Peter Limbourg e dënoi ashpër vrasjen e cila dëshmoi qartë sipas tij rrezikun akut që i kanoset gazetarëve dhe familjeve të tyre në Afganistan.

“Kjo është një ngjarje tragjike dhe e pakonceptueshme, që nxjerr edhe një herë në pah se më çfarë përballen realisht punonjësit tanë dhe familjet e tyre në Afganistan”, u shpreh ai, duke shtuar se është e qartë që talebanët janë vënë në gjurmët e reporterëve në Kabul e nëpër provinca. “Duhet t`i ndihmojmë, se nuk kemi më kohë”, shtoi ai.

Mësohet se talebanët kanë bastisur shtëpitë e të paktën tre gazetarëve të tjerë të DW. Kjo e fundit, së bashku me disa organizata mediatike i kanë kërkuar qeverisë gjermane të veprojë sa më shpejt për të ndihmuar stafin e tyre afgan. Pas marrjes së pushtetit, talebanët premtuan publikisht liri të medias dhe falje për kundërshtarët, por duket se asnjë prej këtyre nuk do të ndodhë.

Top Channel