Të menaxhosh një skuadër futbolli nuk është e lehtë e aq më tepër ku ke në përbërje “yje” që kanë fituar trofetë më të rëndësishëm në karrierën e tyre. Rasti ideal për t’u marrë shembull është ai i PSG-së, që, me afrimin e Messit apo Sergio Ramosit, që u bashkohen Mbappesë, Neymarit, Icardit e Di Marias, për të mos përmendur të tjerë, ka në “kotec” shumë “gjela”, që duan të “këndojnë” gjithmonë të parët.

Media e njohur spanjolle, “El Larguero”, shkruan se në klubin parizien nuk janë të kënaqur me qëndrimin apo sjelljen e ish-kapitenit të Realit, Sergio Ramos, që kur iu bashkua ekipit pak më shumë se një muaj më parë.

Burimet e ekipit francez shumë pranë dhomës së zhveshjes pohojnë se Ramos duhet të impenjohet maksimalisht në stërvitje, ndryshe nuk do të ketë vend për të në formacionin e Pochettinos. Marquinhos dhe Kimpembe duket se do t’ia bëjnë gjërat vërtet të vështira Ramosit.

Stafit të ekipit nuk i kanë pëlqyer disa sjelle të 34-vjeçarit. Ai mund ta konsiderojë veten “yll”, por te Parisi ka “yje” të tjerë mbi tën dhe ai nuk është kapiten.

Duhet të theksohet se lojtari spanjoll ende nuk ka qenë në gjendje të bëjë debutimin me PSG për shkak të një dëmtimi në kofshën e majtë. Lojtari është stërvitur individualisht, por, për momentin, nuk dihet se kur do të jetë në gjendje të luajë. Gjatë dy muajve të fundit Ramos ka luajtur në vetëm një ndeshje: në gjysmëfinale të Championsit kundër Chelsea-t. Për më tepër, Luis Enrique, trajneri i Spanjës, nuk e grumbulloi për “Euro 2020”.

Top Channel