OKB merr raportin: Talebanët po kërkojnë derë më derë për personat që i shërbyen NATO-s. Do vrasin familjarët nëse…

20/08/2021 10:16

Talebanët kanë filluar kërkimin për njerëzit që punonin për forcat e NATO -s ose qeverinë e mëparshme afgane, thuhet në një dokument të OKB-së, raporton BBC.

Thuhet se militantët kanë shkuar derë më derë për të gjetur të dhëna, si dhe për të kërcënuar anëtarët e familjes së tyre.

Që kur kapën pushtetin, talebanët u përpoqën të sigurojnë afganët se nuk do të kishte “hakmarrje”. Por frika e qytetarëve se ata do veprojnë ndryshe nga fjalët që thonë, është në rritje.

Paralajmërimi që grupi po synonte bashkëpunëtorët e NATO-s apo SHBA thuhet në një dokument konfidencial që e disponon OKB.

“Ekziston një numër i madh i individëve që aktualisht janë në shënjestër nga talebanët dhe kërcënimi është i qartë”, tha Christian Nellemann, i cili kryeson grupin që qëndron pas raportit.

“Është me shkrim që, nëse ata nuk dorëzohen, talebanët do t’i ndjekin familjarët e tyre, do t’i kapin, do t’i marrin në pyetje dhe do ndëshkojnë anëtarët e familjes në emër të atyre individëve”, tha ai.

Ai paralajmëroi se kushdo që ishte në listën e zezë të talebanëve ishte në rrezik të madh dhe se mund të kishte ekzekutime masive.

Fuqitë e huaja po vazhdojnë përpjekjet për të nxjerrë shtetasit e tyre nga Afganistani. Një zyrtar i NATO -s tha të premten se më shumë se 18,000 njerëz janë evakuuar në pesë ditët e fundit nga aeroporti i Kabulit.

Rreth 6,000 të tjerë, mes tyre ish-përkthyes për forcat e armatosura të huaja janë në gatishmëri për t’u larguar vonë të enjten ose të premten herët.

Qëllimi është të dyfishojmë përpjekjet për evakuim gjatë fundjavës, tha zyrtari, për BBC.

Jashtë aeroportit situata mbetet kaotike. Talebanët kanë bllokuar afganët që përpiqen të ikin, me një video që tregon një fëmijë duke iu dorëzuar një ushtari amerikan.

Top Channel