Drogë “çokollatë”/ Kapen në Igumenicë 50 kg kanabis, arrestohet shqiptari

20/08/2021 17:15

Një sasi prej 50 kg kanabis u sekuestrua prej departamentit të anti-drogës së Epirit në vendin quajtur “Kthesa e Filatit”.

Sipas drejtorisë së policisë, lënda narkotike u gjet në një automjet të marrë me qira nga një shtetas grek, i cili në vazhdim ia kishte dhënë automjetin një shtetasi shqiptar për të kryer transportin e lëndës narkotike.

Fillimisht policia i kishte kërkuar trafikantit dokumentet, por gjatë kontrollit u konstatua se ai nuk kishte patentë, ç’ka ngriti edhe dyshimet se automjeti po transportonte drogë.

Sipas policisë, droga ishte ngarkuar në kufirin shqiptaro-grek në vendin e quajtur “Peshkimi i grekut”, një zonë në afërsi të kepit të Stilit dhe besohet se i përkiste asaj që autoritetet greke e quajnë “Banda e Shëndëlliut”, një organizatë trafiku që përbëhet prej trafikantëve që banojnë në fshatrat Shëndëlli dhe Vrinë të Sarandës, shumë pranë kufirit mes dy vendeve.

Autoritet greke thonë se kjo organizatë është përgjegjëse për dhjetëra raste trafiku të lëndëve narkotike në zonën e Igumenicës. Dyshohet se kreu i kësaj organizate, ka lidhje të forta me policinë shqiptare ,e cila e informon lidhur me operacionet që ndërmerren në zonën kufitare për parandalimin e trafiqeve.
Policia greke thotë se 2 kg prej sasisë së lëndës narkotike ishte e përpunuar në formë çokollate dhe pjesa tjetër ishte e paketuar në 48 pako 1 kilogramëshe.

I arrestuari do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie, ndërsa është shpallur në kërkim një shtetas grek, i cili është personi që ka marrë me qira automjetin ku u sekuestrua lënda narkotike.

FOTO GALERI
2/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA