E ardhmja e Ilaix Moriba gjithë e më pranë … tribunës. Klubi i Barçës dhe përfaqësuesit e mesfushorit e kanë kuptuar prej ditësh se situata është e pakthyeshme dhe tani po mendojnë vetëm shitjen e lojtarit, ndryshe do të qëndrojë një vit pa luajtur.

Barça është e qartë se nuk do të ndahet me Ilaix për më pak se 15 milionë euro, një shumë që vështirë se ndonjë klub do ta ofrojë në ditët e fundit të merkatos. Klubi katalanas ka marrë një propozim prej 5 milionë eurosh nga një klub i Bundesligës (thuhet se është Leipzigu), ofertë së cilës Barça i ka thënë “jo”.

Pavarësisht situatës së vështirë ekonomike që klubi po përjeton, Barça këmbëngul se nuk do të lejojë futbollisti i prodhuar në akademinë e saj të largohet për një çmim të lirë. Prandaj, kërkesa e “blaugranave” është 15 milionë euro “cash”, plus bonuset. Nëse nuk largohet me këto kushte ose nuk rinovon, Ilaix do të qëndrojë një vit të tërë në tribunë. Ai nuk do të luajë me ekipin e parë ose me Barçën “B”. Ai mund të stërvitet me skuadrën e dytë, por nuk do të marrë pjesë në ndeshje.

Përfaqësuesit e lojtarit tashmë e dinë që nuk do të ketë më takim mes tyre dhe klubit nëse nuk është për të komunikuar se ata pranojnë ofertën e rinovimit ose për të sjellë një ofertë të mirë për t’u transferuar para mbylljes së tregut. Klubi beson se qëndrimi jofleksibël ndaj Ilaix duhet të shërbejë si shembull për të rinjtë e tjerë që mund të kenë një strategji të ngjashme në mendje.

Top Channel