Të mbuluara kokë e këmbë, me frikën se talebanët mund t’i ndalojnë, disa vajza në Afganistan rikthehen në shkollë

18/08/2021 18:02

Disa vajza u panë sot të shkonin në shkollë, në qytetin perëndimor të Heratit, në Afganistan.

Tashmë talebanët kanë marrë në kontroll të plotë vendin dhe kanë rikthyer ‘ligjet islamike, sipas tyre, që mohojnë të drejtat dhe liritë themelore sidomos të vajzave e grave, përfshirë dhe arsimimin.

Vajzat ecnin të shqetësuara nëpër korridoret e shkollës, me frikën se talebanët mund t’i ndalonin, raporton agjencia e lajmeve, AFP.

Kur talebanët kontrolluan Afganistanin në vitet 1990, grave dhe vajzave u mohohej kryesisht arsimi dhe punësimi.

Ne duam të përparojmë si vendet e tjera“, tha studenti Roqia për AFP. “Ne shpresojmë që talebanët të ruajnë sigurinë. Nuk duam luftë, duam paqe në vendin tonë”.

Shefi i operacioneve në terren të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për fëmijë (Unicef) u shpreh optimist për shkollimin e vajzave, pasi citoi disa ‘premtime’ të talebanëve për edukimin e vajzave.

Ne kemi diskutime të vazhdueshme. Jemi mjaft optimistë bazuar në ato diskutime“, tha Mustapha Ben Messaoud, në një konferencë të OKB -së, duke shtuar se 11 nga 13 zyrat në terren janë aktualisht funksionale.

Top Channel