Lëvizja Vetëvendosje ka kandiduar ministrin aktual të Shëndetësisë Arben Vitia për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 17 tetorit.
Kandidimi i një ministri për të parin e kryeqytetit në kohën kur pandemia në vendin tonë po shënon shtim enorm të rasteve me koronavirus, ka zgjuar reagimin e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj.
“Në kohën kur situata pandemike është jashtë kontrollit dhe Kosova po shënon numër të lartë të rasteve me infeksion, mashtruesit kanë vendosur që ministrin e Shëndetësisë, ta kandidojnë për kryetar të Prishtinës. Largimi i ministrit Vitia nga përgjegjësitë shtetërore dhe kalimi i vëmendjes së tij te gara zgjedhore, edhe njëherë e shpërfaq fytyrën e vërtetë të Qeverisë së mashtrimit”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Kjo qeveri, sipas tij, para interesave të ngushta politike, duhet të ketë interesat e shtetit dhe të përkushtohet në menaxhimin e gjendjes së rëndë shëndetësore në vend, që çdo ditë po merr jetë të qytetarëve. “Koston e kësaj gjendjeje, do ta paguajnë jo vetëm pacientët e stafi mjekësor, por edhe ekonomia e vendit, me masat që këta mashtrues do t’i vendosin, ashtu siç mbyllën vendin dhe shkatërruan ekonominë vitin e kaluar”, ka shtuar kreu i AAK-së.
“Pavarësisht nga mosinteresimi i Qeverisë, lus stafin shëndetësor në nivel vendi, që të vazhdojnë të japin kontributin e tyre në kujdesin për qytetarët e Kosovës”, përfundon Haradinaj.
Top Channel