Haiti regjistron gati 2,000 viktima si pasojë e tërmetit

18/08/2021 08:23

Autoritetet në Haiti njoftojnë se numri i personave të vdekur nga tërmeti shkatërrues ka arritur në gati 2,000.

Ndërkohë një stuhi tropikale ka goditur këtë shtet në Karaibe, duke penguar përpjekjet për kërkim-shpëtim.

Sipas autoriteteve, numri i viktimave është rritur për më shumë se 500 në 1,941 më 17 gusht.

Më shumë se 9,900 persona është thënë se janë të plagosur.

“Situata është shumë e vështirë. Popullata është duke u përballur me një mori të nevojave urgjente humanitare”, ka thënë kryeministri i Haitit, Ariel Henry, përmes një postimi në Twitter.

Qeveria ka falënderuar partnerët kombëtarë dhe ata ndërkombëtarë, që kanë ndihmuar në përpjekjet për kërkim-shpëtim.

Si pasojë e tërmetit është thënë se 60,000 shtëpi janë shkatërruar, ashtu sikurse shumë ndërtesa publike.

Shumë persona besohet se ende janë nën rrënoja prej 14 gushtit, kur ka ndodhur tërmeti.

Dy katastrofat natyrore kanë goditur këtë shtet kur Haiti është duke u përballur me vrasjen e presidentit Jovenel Moise më 7 korrik.

Pandemia e koronavirusit është një tjetër sfidë për këtë shtet.

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA