Bie popullariteti i Biden, talebanët: Duam paqe në Afganistan!

18/08/2021 11:57

Pesë javë më parë, teksa njoftonte tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani, presidenti Joe Biden bëri dhe një deklaratë që asokohe u kalua si në heshtje: ai tha se marrja e vendit nën kontroll nga talebanët nuk ishte e pashmangshme.

Tani që grupi islamik e bëri vërtet një gjë të tillë, Biden gjendet në një situatë të vështirë pas një serie llogaritjesh të gabuara që kanë dëmtuar besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara. Shefi i Shtëpisë së Bardhë kritikoi ashpër ushtrinë afgane duke thënë se ajo duhet të bënte luftën e saj, denoncoi qeverinë e Kabulit të rrëzuar tashmë dhe deklaroi se trashëgoi një marrëveshje të keqe tërheqjeje nga paraardhësi i tij republikan Donald Trump.

Këto justifikime nuk e kanë ndihmuar imazhin e tij; sondazhi i fundit i Reuters-Ipsos tregoi se mbështetja për të ra brenda pak ditësh me 7 pikë përqindje dhe arriti nivelin më të ulët – 46% – që kur ai mori detyrën në janar. Talebanët sakaq po përpiqen të shfaqen më të moderuar. Në konferencën e parë për shtyp që prej marrjes së pushtetit, ata thanë se nuk duan më konflikte.

Zabihullah Mujahid, zëdhënës i talebanëve: Ne duam një qeverie të ardhshme dhe një sistem që të përfshijë njerëz nga të gjitha shkollat e mendimit. Nuk duam më luftë. Duam paqe në Afganistan, prandaj u ulem dhe në bisedime.

Sinjalet që vijnë për ta nga Amerika nuk janë dhe aq paqësore. Shtetet e Bashkuara bllokuan rezervat e Bankës Qendrore të Afganistanit në llogaritë amerikane, duke u penguar talebaneve qasjen në miliarda dollarë. “Asnjë aset i Bankës Qendrore, që ka Qeveria afgane në Shtetet e Bashkuara, nuk do të jetë i aksesueshëm për ta”, deklaroi administrate amerikane, e cila duket e ka marrë vendimin që në fundjavë kur talebanët pushtuan kabulin e rrëzuan Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi.

Top Channel