Bashkimi Evropian i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, që një mision evropian të bëjë monitorimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë të caktuara për 17 tetor.
Në muajin qershor, presidentja Osmani kishte kërkuar presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli, si dhe Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell që të dërgojnë një mision monitorimi të zgjedhjeve.
Presidenca ka njoftuar më 18 gusht se ka pranuar përgjigjen nga ana e këtyre dy zyrtarëve në të cilat thuhet se Parlamenti Evropian konfirmon gatishmërinë për të marrë pjesë në monitorimin e zgjedhjeve në Kosovës, ndërsa përfaqësuesi i Lartë, Borrel do të bëjë emërimin e shefit të misionit.
“Për dallim nga zgjedhjet e fundit parlamentare, në të cilat Misioni i BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve është përbërë nga një numër i vogël ekspertësh, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, BE-ja do të jetë prezente me mision të plotë të vëzhgimit të zgjedhjeve në Republikën e Kosovës deri në certifikimin e rezultatit zgjedhor”, thuhet në njoftimin e zyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka njoftuar se për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, kanë aplikuar 94 subjekte politike, prej tyre, 32 parti, një koalicion, 35 iniciativa qytetare dhe 26 kandidatë të pavarur. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka njoftuar se numri i përgjithshëm i kandidatëve që kanë aplikuar është 4.920, prej tyre 165 për kryetarë komunash dhe 4.757 për kuvende komunale.
“Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka shprehur besimin se raporti përfundimtar i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve do të ndihmojë në mbështetjen e përpjekjeve të ardhshme të nevojshme për reformën zgjedhore duke adresuar rekomandimet e mbetura të vëzhgimit të zgjedhjeve të BE -së”, thuhet në një deklaratë të shefit të zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog./ REL
Top Channel