48 orë me talebanët, zhduken gratë nga rrugët e Kabulit!

18/08/2021 12:24

Talebanët po përpiqen të tregojnë anën e tyre të paqtë që prej marrjes së pushtetit.

Në Kabul jeta duket sikur po i rikthehet normalitetit; dyqanet janë hapur, shitësit rregullojnë tezgat e policët kontrollojnë trafikun. Jeta zhurmon sërish, por me një ndryshim: rrugëve të Kabulit nuk sheh më aq gra sa dikur. Talebanët e kanë përsëritur se nën sundimin e tyre, te drejtat e grave afgane do të jenë të mbrojtura, por shumë prej tyre janë të tmerruara nga perspektiva e një jetese të tillë.

Edhe ato më të guximshmet që dalin jashtë, janë të mbuluara nga koka në këmbë. Më shqetësuese, situata është për femrat e arsimuara, të cilat kanë punuar për të ndërtuar një karriere por tani rrezikojnë të kthehen në shënjestra.

“Mendoj për vajzat e mia, çfarë do të ndodhë me to nëse mua më vrasin, dy vajza që do të rriten pa nënë”, i tha CNN-it një grua identiteti i të cilit për arsye sigurie nuk është bërë i njohur. Ajo ka punuar për një sërë organizatash të huaja dhe i është lutur për ndihmë, por thirrjet e saj të dëshpëruara kanë rënë në vesh të shurdhër.

“Kam më shumë se 10 vjet që punoj për organizata ndërkombëtare dhe asnjë prej tyre nuk më ndihmoi”, u shpreh ajo. Këto 20 vitet e fundit, u shënuan përparime të mëdha lidhur me të drejtat e grave në Afganistan, dhe e gjithë kjo tani rrezikon të fshihet brenda natës. Në rrjetet sociale kanë rinisur të shpërndahen fotot e grave në ketë vend gjate viteve 1970, veshjet e të cilave nuk ndryshonin aspak nga ato të vajzave perëndimore por që janë një contrast i thellë e i dhimbshëm me situatën e femrës afgane sot.

Top Channel