Super Lewandowski, Bayern mposht 3-1 Dortmundin dhe fiton Superkupën e Gjermanisë

17/08/2021 23:37

Robert Lewandowski i jep Superkupën e Gjermanisë Bayernit të Mynihut, trofe të cilin rekordmenët e futbollit gjerman e fitojnë për herë të nëntë në histori.

Sulmuesi polak shënoi 2 gola dhe asistoi në një tjetër në fitoren 3-1 përballë Borussias së Dortmundit në takimin e zhvilluar në shtëpinë e verdhezinjve, “Signal Iduna Park”.

Të parin Lewa, një ish-futbollist bardhezi, e shënoi në minutën e 41-të, i shërbyer nga Gnabry. Sapo nisi pjesa e dytë asistoi Thomas Mullerin për golin e 2-0, ndërsa në të 74-tën sigloi atë të rezultatit përfundimtar 3-1, 10 minuta pasi Reus kishte shkurtuar përkohësisht diferencën.

Një nisje perfekte e sezonit në aspektin personal për 32-vjeçarin, që shënoi edhe në sfidën e parë të Bundesligës kundër Gladbachut, duke shmangur humbjen e skuadrës së drejtuar nga Nagelsmann.

Bayerni dhe Dortmundi pritet të rivalizojnë fort mes tyre për titullin e Bundesligës në sezonin që sapo ka nisur.

Top Channel