Ndërkohë që Manchester City dhe Chelsea shpenzojnë qindra milionë euro për të transferuar emra si Jack Grealish e Romelu Lukaku, klubet e Bundesligës munden vetëm të ndjekin këto zhvillime me habi.
Kjo vlen edhe për Bayernin e Mynihut, që ka fituar shumë vitet e fundit dhe është një superfuqi ekonomike, por gjithsesi nuk ia lejon vetes të bëjë shpenzime të tilla si klubet angleze, apo edhe PSG-ja që ka luksin të mbajë me paga stratosferike disa nga yjet e futbollit botëror. Këtë situatë e sheh me mjaft shqetësim edhe trajneri i Bayernit të Mynihut, Julian Nagelsmann, i cili pranon se nuk është ekspert i fushës, por thekson se situata është e komplikuar dhe po dëmton jo pak futbollin gjerman.
“Teksa shikon që klubet e ligave të tjera i lejojnë vetes shpenzime të tilla, kupton se futbolli gjerman rrezikon të mbetet disi mbrapa. Natyrisht që për Bayernin situata është më ndryshe, por për klubet e tjera gjithçka bëhet më e komplikuar. Unë nuk jam ekspert, por fërkoj sytë me habi kur shoh shifra, pasi gjithmonë përveç atyre që deklarohen, ka edhe “bishta miu” që nuk bëhen publike, por që rritin akoma më shumë kostot e transferimeve dhe këtu kam parasysh pagesat për menaxherë, ndërmjetës, pagat e lojtarëve, etj.”, tha Nagelsmann.
Trajneri i Bayernit të Mynihut vijon më tej me një apel për UEFA-n, të cilës i kërkon të mos tolerojë aspak zbatimin e Fair Play-t Financiar dhe për më tepër, ta ashpërsojë edhe më shumë për të mbrojtur futbollin.
“UEFA duhet të shtrëngojë rregullat e Fair Play-t financiar dhe të kujdeset për zbatimin e tyre me përpikëri, pasi ajo e para ka interes të ruajë e zhvillojë sa më shumë garën. Bayerni ka fituar Championsin dy vite më parë dhe është ende në gjendje të garojë në nivele të larta në Europë, por klubet e tjera gjermane shoh që po vuajnë gjithmonë e më shumë”, deklaroi trajneri gjerman.
Top Channel