Të bësh trajnerin me lojtarë si Messi, Neymar, Mbappe, Ramos, etj., është e tepërt, ndaj Maurizio Pochettino do të duhet të përqendrohet më shumë te menaxhimi i një skuadre të mbushur me yje, sesa të mendojë për zgjidhje taktike në fushën e lojës.

Nëse për formacionin mund ta ketë një zgjidhje për të bërë bashkë në një 11-she emrat më të bujshëm që ka në dispozicion, trajneri do ta ketë shumë të vështirë të ndajë detyrat e tjera në fushë dhe ekzekutimi i penalltive është një ndër to.

Lionel Messi, Neymar, Mbappe dhe Segio Ramos janë të katër “mjeshtra” të gjuajtjes së penalltive dhe do të ishin pa diskutim të parët në hierarki nëse do të luanin në skuadra të ndryshme, por tani mbetet për t’u parë kujt do t’i besohet ky mision te PSG-ja. Sezonin e fundit Mbappe e Neymar e zgjidhën duke gjuajtur me radhë dhe në fund francezi ekzekutoi 9 copë, duke i shndërruar të gjitha në gol, ndërsa braziliani gjuajti 8 dhe gaboi vetëm njërën.

Megjithatë ardhja në skuadër e Lionel Messit, njërit prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, do të ndryshojë pa diskutim hierarkitë, pasi “pleshti” është një nga ata që preferon të godasë penalltitë dhe në karrierë ka gjuajtur 101, duke gabuar 29. Me një mesatare akoma më të mirë realizative është ish kapiteni i Realit të Madridit, Sergio Ramos, që ka kthyer në gol 25 nga 30 penalltitë që ka gjuajtur dhe është gjithashtu një kandidaturë për të marrë përsipër 11-metërshat.

Natyrisht që të kesh kaq shumë gjuajtës të mirë dhe autoritarë është luks, por në rastin e Pochettinos është një telash, pasi do të duhet ta menaxhojë mirë situatën, për të mos lejuar krijimin e qejf-mbetjeve brenda grupit.

Top Channel