Arsenali është shumë pranë Martin Odegaard. Reali dha një sinjal të qartë se dëshiron të shesë lojtarin, pasi Ancelotti e la jashtë listës së lojtarëve të federuar për kampionatin dhe norvegjezi pritet të transferohet përfundimisht në Londër, aty ku “topçinjtë” po përshpejtojnë bisedimet dhe do ta marrin, sapo të konfirmojnë shitjen përfundimtare të Joe Willock te Newcastle.

Odegaard që fillimisht u ble nga Reali nga Stromsgodset, që kur ishte 16 vjeç në vitin 2015, ka siguruar vetëm 11 ndeshje me skuadrën e parë të “Los Blancos” gjatë një periudhe të dominuar nga një seri huazimesh. Mesfushori u huazua janarin e kaluar te Arsenali për 6 muaj dhe bëri goxha impakt në skuadër, por më pas u rikthye në Madrid për përgatitjet parasezonale në korrik, ku duket se nuk ka bindur trajnerin Ancelotti, pavarësisht se ka një kontratë që zgjat edhe për dy vitet e ardhshme.

Reali mirëpret çdo ofertë të mundshme për 22-vjeçarin dhe Arsenali duket në “pole position”, pasi është klubi më i interesuar për të firmosur me Odegaard për blerjen përfundimtare të kartonit. Veç të tjerash, londinezët do të kenë edhe fondin financiar që kërkon Reali, sapo të shesin Willock te Newcastle. Willock do të nënshkruajë me Newcastle për 6 vjet, pas huazimit për pjesën e dytë të sezonit të shkuar në “St James Park”. Periudhë gjatë së cilës Odegaard u shndërrua në një lojtar kyç për Artetan tek Arsenali, ku siguroi 20 prezenca gjatë huazimit.

Futbollisti norvegjez koleksionoi dhe dy gola dhe dy asiste, por paraqitjet e tij nuk mund të parandalonin një kampionat për t’u harruar për “Topçinjtë”, që përfunduan jashtë zonës së kompeticioneve europiane për herë të parë në këto 25 vitet e fundit.

Top Channel