Një sërë shkeljesh që nuk janë konfirmuar ende nëse janë shkaktuar vetëm nga neglizhenca kanë sjellë pezullimin e përkohshëm të 6 efektivëve të burgut 313, ndërkohë që hijet më të forta të dyshimit hidhen mbi zyrtarët e burgut për protokollin që kanë urdhëruar të zbatohet. 

Megjithëse arratisja e Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit u mbyll pa sukses  dëshmitë e policëve lënë të kuptohet se ata u urdhëruan  në telefon të dilnin në regjimin e sigurisë për të transportuar të vetëdëmtuarin Lulzim Çepele i cili deklarohet zyrtarisht se krijoi skenën për të tërhequr vëmendjen 20 minuta përpara se të dilnin dy të burgosurit Çekaj dhe Pjetri. Por ajo që nuk thuhet është se mbas urdhrit  tre policë dolën për të shoqëruar Çepele dhe  regjimi u la në shkelje të hapur me vetëm dy të tjerë, edhe pse burgu ka mjek dhe i plagosuri rezultoi që nuk kishte plagë të rrezikshme për jetën.

Burimet e TCH konfirmojnë se plaga ishte aq sipërfaqësore sa edhe mbas situatës që  zbuloi në sheshpushim dy të burgosurit e tjerë, kurimi i tij u krye brenda 313.

Pikërisht aty ky mbahen në izolim aktualisht Çekaj dhe Pjetri që mbas tentativës sipas rregullores duhet të transferoheshin në një burg tjetër.

Shkelja e dytë lidhet me mos pajisjen më armë të policit tek porta kryesore.

Burimet sqarojnë se procedura kërkon që në raste të papritura si tentativa e vetëvrasjes se Çepeles të njoftohet shefi i policisë së burgut,  drejtori i burgut dhe specialisti i informacionit në drejtori të përgjithshme, ndërkohë që pas këtij rasti sipas protokollit dhe rregullores kërkohen përforcime. Burimet e sigurta janë të bindura se në skemën e arratisjes se Çekajt dhe Pjetrit që qëlluan me çengel në kokë policin Myfit Xheka ka bashkëpunëtorë të brendshëm  nisur nga të dhënat që nuk lejojnë cenimin e shërbimeve deri tek mungesa e një vendroje në pjesën perëndimore të burgut, apo mungesa e radiomarrëseve të dy policëve të ajrimit që u mbyllën në këtë zonë nga Çekaj dhe Pjetri, teksa të burgosurit zbritën me litarë përmes një zgare hekuri që ishte hequr më herët.

Top Channel