Covid-19/ Mbi 4900 raste të reja në Gjermani, shifra më e lartë që nga muaji maj

12/08/2021 01:38

Gjermania sot raportoi 4.996 raste të reja me Covid-19, nga 2.480 një ditë më parë, që paraqet rritjen më të lartë ditore që nga fundi i majit.

Instituti Robert Koch konfirmoi 14 vdekje të lidhura me koronavirusin në 24 orët e fundit, nga 24 vdekje të raportuara një javë më parë.

258 pacientë të tjerë me COVID-19 janë shtruar në spitale, dhe në total, 442 pacientë të sëmurë rëndë po marrin trajtim në njësitë e kujdesit intensiv. Varianti Delta që është më ngjitësi ka nxitur raste të reja në gjithë vendin, por shtrimet në spital dhe vdekjet kanë mbetur relativisht të ulëta, krahasuar me valën e parë dhe të dytë të pandemisë.

Ndërsa varianti Delta është bërë dominues në vend, duke përbërë më shumë se 97 për qind të rasteve të reja, përparimi i Gjermanisë në fushatën e vaksinimit ka ndihmuar në parandalimin e shumë rasteve të sëmundjeve të rënda dhe shtrimeve në spital.

Top Channel