Covid-19/ Koreja e Jugut raporton shifrën më të lartë të infektimeve ditore që nga fillimi i pandemisë

12/08/2021 02:20

Koreja e Jugut raportoi mbi 2.223 raste tjera me Covid-19, shifra më e lartë që kur pandemia goditi vendin në janar të vitit të kaluar.

Sipas Agjencisë së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve, numri i përgjithshëm i rasteve në vend u rrit në 216.206. Një rast i vdekjes u regjistrua në 24 orët e fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 2.135, ndërsa gjithsej 189.506 persona janë shëruar deri më tani.

Vendi ka regjistruar një rritje të infeksioneve të reja që nga 7 korriku, kur varianti Delta, u raportua në Korenë e Jugut.

Qeveria tashmë ka vendosur kufizime të rrepta shkaku i COVID-it në kryeqytetin Seul, epiqendra e përhapjes të fundit, duke ndaluar tubimet e më shumë se dy personave pas orës 18:00. Gjithashtu, sipas Agjencisë së Lajmeve Yonhap, është vendosur të mbyllen restorantet dhe kafenetë pas orës 10 pasdite.

Presidenti Moon Jae-in shprehu shqetësimin për rastet në rritje dhe tha se vendi i tij po kalon një periudhë kritike.

“Është shqetësim i madh që numri ka tejkaluar 2.000 pavarësisht përpjekjeve të autoriteteve shëndetësore dhe bashkëpunimit të popullit në distancimin shoqëror”, citohet të ketë thënë presidenti gjatë një takimi në kabinetin e tij.

Top Channel