Në prag të Superkupës së Europës, kundër Villarrealit, trajneri i Chelsea-t, Thomas Tuchel, foli edhe për situatën e Tammy Abrahamit, qendërsulmuesit anglez me origjinë nigeriane, i cili kërkohet me ngulm nga Mourinho te Roma, për të zëvendësuar Edin Dzekon, që pritet të zyrtarizohet së shpejti tek Interi.

“Nuk mund të komentoj negociatat mes Chelsea-t dhe Romës, sepse nuk komentoj situatat e merkatos. Tammy është pjesë e ekipit, ka zhvilluar disa miqësore të mira gjatë fazës përgatitore. Është e qartë që nuk është i lumtur me gjashtë muajt e fundit që ka kaluar.

Patjetër që ka arsye për të mos qenë i lumtur, ndoshta ishte edhe faji im, sepse nuk i dhashë të njëjtën besim që u dhashë lojtarëve të tjerë dhe nuk i dhashë shumë minuta. Ai dëshiron të luajë më shumë. Tani ne do të duhet të shohim se cilat janë planet e Tammy-t, të shohim nëse dëshiron të fitojë më shumë minuta në ekipin apo synon të ndryshojë skuadër për të pasur më shumë shanse për të luajtur titullar.

Këto janë situata normale gjatë përgatitjes për sa kohë që tregu i transferimeve është i hapur.”

Top Channel