Teksa vijon lufta me zjarret në Greqi, “shpërthejnë” rastet e reja me Covid-19

11/08/2021 10:29
Ilustrim

Teksa Greqia lufton me zjarret për të nëntën ditë pasi vatra të reja kanë shpërthyer në ishullin e Evias, në 24 orët e fundit ka pasur edhe një shpërthim të infektimeve ditore me koronavirus.

Sipas autoriteteve greke janë regjistruar 4181 raste të reja, prej të cilave 1238 në zonën e Attikës. Është hera e katërt prej fillimit të pandemisë në shkurtin e vitit 2020, që Greqia regjistron më shumë se 4000 raste ditore, pas shifrave rekord të marsit dhe prillit të këtij viti.

Por në vend të dytë tashmë ndodhet ishulli i Kretës me 554 raste të reja ditore, ndaj dhe prej orëve të para të mëngjesit të së mërkurës qyteti i Iraklios është vendosur në gjendje mini lockdown .

Specialistët flasin për një rritje të situatës epidemiologjike në ishull, ndërsa gjendja në spitalet e tij është kritike pasi mbi 90%  e dhomave të terapisë intensive janë me pacientë.

Gjithashtu shqetësim ka për Selanikun ku numërohen 337 raste të reja, për zonën e Ahaias  me 167 raste si dhe për ishullin e Rodosit ku janë regjistruar 121 infektime.

Në të gjithë vendin është rritur numri i të intubuarve duke shkuar në 219, ndërsa 24 orët e fundit kanë humbur jetën nga koronavirusi 19 persona.

Autoritetet greke edhe njëherë ju bëjnë thirrje qytetarëve të vaksinohen, pasi nga 110.000 vaksinime ditore tashmë kryhen vetëm 25.000 ,ndërsa numërohen në të gjithë vendin vetëm 5.4 milion të vaksinuar plotësisht.

Top Channel