Lukaku parakalon Neymar-in, bëhet lojtari për të cilin janë shpenzuar më shumë para

11/08/2021 00:23

Askush si Romelu Lukaku në futbollin europian. Me transferimin nga Interi te Chelsea për 115 milionë euro, shtatlarti belg është shndërruar në futbollistin për të cilin janë shpenzuar me shumë para në merkaton e transferimeve duke parakaluar edhe brazilianin Neymar i cili deri pak ditësh ruante primatin që nga momenti që firmosi me Paris Saint Germain.

Historia e transferimeve të shtrenjta për Lukakun nisi në moshën 18-vjeçare kur kaloi nga Anderlecht te Chelsea për 15 milionë euro. Për të vijuar në 2 shtator të 2013-ës kur gjigandi i sulmit u huazua nga Blutë e Londrës te Everton për 3,5 milionë euro.

Pas paraqitjeve të shkëlqyera që bëri në sezonin e tij të parë me skuadrën nga Goodison Park, Everton vendosi të blejë kartonin e Lukakut për 35,3 milionë euro. Pas 4 viteve te Everton, Lukaku la klubin nga Liverpooli në verën e vitit 2017-të duke u transferuar te Manchester United që shpenzoi 84,7 milionë euro për kartonin e tij. Te Djajtë e Kuq, sulmuesi belg qëndroi vetëm 2 sezone pasi në 8 gusht të 2019-ës firmosi për Interin që derdhi në arkat e Manchester United shifrën 74 milionë eurove përfshirë edhe bonuset.

Sëfundmi Lukaku i dha lamtumirën Interit për t’u rikthyer te Chelsea, klubi që e afirmoi në futbollin e madh. 115 milionë euro ka paguar Chelsea për të blerë kartonin e sulmuesit te Interit, një shumë kjo që e ka çuar shifrën e transferimeve të Lukakut përgjatë gjithë karrierës në vlerën e 327,5 milionë euro. Për Neymar Barcelona shpenzoi 88 milionë euro për ta blerë nga Santosi ndërsa e shiti te Paris Saint Germain për shifrën rekord të 222 milionë eurove me transferimet e Neymar që kapin vlerën totale të 310 milionë eurove.

Për të zbritur brazilianin nga froni ka menduar Lukaku, ndërkohë që podiumi kompletohet nga Cristiano Ronaldo transferimet e të cilit nga Sportingu i Lisbonës te Manchester United, nga Djajtë e Kuq te Reali i Madridit dhe nga Los Blancos te Juventusi që kanë kushtuar në total 228 milionë euro

Top Channel