Akuzat për ngacmim seksual/ Dorëhiqet Guvernatori i Nju Jorkut

11/08/2021 10:30

Pas një serie akuzash për ngacmim seksual Guvernatori i Nju Jorkut Andrew Cuomo dha dorëheqjen të martën .

Kjo shënon një rënie spektakolare nga pika kulmore e karrierës së tij një vit më parë, kur u përshëndet gjerësisht në shkallë vendi për njoftimet e tij të hollësishme të përditshme dhe udhëheqjen gjatë ditëve më të errëta të COVID-19.

Në një deklaratë për mediat Cuomo kërkoi falje , ndërsa njoftoi vendimin.

“Ekziston një ndryshim midis sjelljes së supozuar të pahijshme dhe të dalit në përfundimit se është një ngacmim seksual. Tani, mos më keqkuptoni.
Kjo nuk do të thotë se nuk janë 11 gra që i kam ofenduar vërtet. Ka. Dhe për këtë, unë kërkoj ndjesë, thellësisht . Në mendjen time, unë kurrë nuk kam kaluar kufirin me askënd. Dhe unë mendoj se duke pasur parasysh rrethanat, mënyra më e mirë se si mund të ndihmoj tani është nëse tërhiqem.
Kjo është ajo që unë do të bëj. Sepse unë punoj për ju. ”

Vendimi i guvernatorit demokrat që ka shërbyer për tre mandate, i cili do të hyjë në fuqi pas dy javësh, u njoftua ndërsa po shtoheshin përpjekjet në legjislaturën e shtetit të Nju Jorkut për ta shkarkuar atë.
Ndërkohë presidenti Biden i pyetur nga gazetarët për guvernatorin kishte një përgjigje shumë të shkurtër.

“Unë mendoj se ndikimi që ka kjo çështje është i tëri tek Andrew Cuomo , unë e respektoj vendimin e tij. Ai ka bërë një punë të madhe, kjo është e vërtetë dhe kjo është arsyeja pse është kaq e trishtueshme “.

Vendimi i guvernatorit erdhi pasi Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut publikoi një javë më parë rezultatet e një hetimi që zbuloi se guvernatori Cuomo kishte ngacmuar seksualisht të paktën 11 gra.

Hetuesit thanë se ai i detyronte gratë për puthje të padëshiruara; i prekte në mënyrë të papërshtatshme; bënte batuta për pamjen e tyre dhe jetën e tyre seksuale; dhe krijoi një mjedis pune “të mbizotëruar nga frikë dhe kërcënimi”.

Top Channel