Armando Broja është zyrtarisht një lojtar i Southmaptonit. Lajmi po qarkullonte prej disa ditësh, por tashmë ka marrë edhe nuanca formale me talentin shqiptar që i është bashkuar shenjtorëve. 19-vjeçari është huazuar nga Chelsea për tek skuadra e Hasenhuttl ku do të qëndrojë për gjatë gjithë sezonit 2021-2022.

Djaloshi nga Malësia e Madhe u shfaq shumë i lumtur me këtë lëvizje duke deklaruar se ndjehet i entuziazmuar për këtë etapë të re ku shpreson të ketë mundësinë për të treguar vlerat e tij. Ndërkohë që edhe tekniku gjerman Ralf Hassenhutl ishte i lumtur për këtë transferim duke e konsideruar lojtarin shqiptar si një talent të cilin ai personalisht e kishte ndjekur tek Vitesse dhe kishte mbetur i mahnitur nga aftësitë e tij.

Edicionin e shkuar futbollisti i skuadrës tonë përfaqësuese luajti i huazuar nga Chelsea tek holandezët e Vitesses dhe në 34 ndeshje me fanellën verdhezi realizoi 11 gola, ndërsa më 18 Korrik pas disa paraqitjeve të mira në sfidat miqësore të bluve të Londrës rinovoi kontratën e tij me Chelsea-n deri në vitin 2026.

Armando Broja duket se do të jetë zëvendësuesi i Danny Ings i cili kaloi tek Aston Vila për 35 milion euro, shtatlarti kuqezi do të ketë shansin të tregojë vlerat e tij duke pasur në dispozicion minutat e duhura për të bërë diferencën në Premier League.

Top Channel