Zjarri mbi tunelin e Kalimashit/ Prefekti i Kukësit: Kishim planifikuar evakuimin pas 3-4 ditësh, në tunel nuk është ndaluar qarkullimi

10/08/2021 10:06

Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana ka folur për situatën e zjarrit mbi tunelin e Kalimashit duke thënë se banesat nuk rrezikohen nga flakët.

Prefekti deklaroi se organet ligjzbatuese po punojnë për të gjetur autorë të zjarrëvënieve, ndërsa me bindje tha se zjarret janë vënë ose nga pakujdesia, ose në mënyrë të qëllimshme.

“Situata sot është pak më e qetë se dje. Dje kemi pasur një situatë kritike në hyrje të tunelit në drejtim të Tiranës. Falë punës së vazhdueshme, u bë e mundur që të kufizohej zjarri dhe të anulohen lajmet e rreme se u ndërpre qarkullimi në tunelin e Kalimashit. Asnjë sekond nuk është ndërprerë kalimi i mjeteve dhe i njerëzve në tunel. Deri në 3 të mëngjesit ka vijuar puna, sot është me intensitet të lartë në Mal të Zi, në Lakun e Thive dhe në lagjen Laproi që bashkë me mjetet ajrore kanë bërë që të ndërpritet në njëfarë mënyre zjarri.

Banorët janë të dëgjueshëm të gjithë. Nëse do të vazhdojmë me ritmin e djeshëm, ne kishim bërë në plan evakuimin që do të ndodhte pas 3-4 ditësh, jo direkt, por falë ndërhyrjes kemi sot mbi 10 zjarrfikëse që janë angazhuar dhe po vazhdojnë punën dhe nuk ka banesë që është në rrezik. Janë marrë masat. Ka pak tym në tunel, por po punohet. Ndërhyrja nga ajri ka filluar që në 5 të mëngjesit në njësinë administrative në Mal të Zi dhe tani shumë shpejt do të vijë këtu dhe do të dalë tek kodra sipër.

Organet ligjzbatuese po punojnë dhe në Tropojë kanë ndaluar njerëz të cilët janë të dyshuar për zjarrvënie, ndoshta të paqëllimshme, ndoshta të qëllimshme, do ta zbulojnë ata, por një gjë është e sigurt, asnjë zjarr nuk ndizet vetë. Ose ndizet nga dora e njeriut në mënyrë të pakujdesshme ose në mënyrë të qëllimshme”, tha Kuçana.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA