Italia “djeg” Britaninë e Madhe në stafetë, rekord medaljesh në Olimpiadë

07/08/2021 00:23

Italia vazhdon të shkëlqejë në Olimpiadën e Tokios dhe që tani përfaqësuesja “axurre” ia ka dalë për të kaluar rendimentin e Lojërave Olimpike Të Romës, që u organizuan gjashtë dekada më parë në “Qytetin e Përjetshëm”. Në vitin 1960 Italia e mbylli Olimpiadën me 36 medalje gjithsej, 13 ari, 10 argjendi dhe 13 bronzi, ndërsa këtë herë, kur kanë mbetur edhe dy ditë që të përfundojë Olimpiada e 32-të e Lojërave Verore “të kaltrit” krenohen me plot 38 të tilla, 10 ari, 10 argjendi dhe 18 bronzi. Një pjesë e madhe e këtij suksesi vjen nga atletika, sepse, për hir të së vërtetës, në klasifikimin e përgjithshëm gjysma e medaljeve janë siguruar pikërisht nga “mbretëresha e sporteve”.

Në mënyrë krejtësisht të paimagjinueshme Italia pozicionohet në vendin e dytë në atletikë, me vetëm 5 medalje, por interesant është fakti se që të pesta këto medalje janë prej ari. Në këtë mënyrë, “axurrët” kanë lënë prapa vende si Xhamajka, Polonia, Kenia, Kina, Kanadaja, pa harruar gjithashtu edhe shtete me shumë traditë në këtë sport si Gjermania, Etiopia, Britania e Madhe, Rusia, Franca, Australia apo Brazili.

Përpara qëndron vetëm seleksioni i Shteteve të Bashkuara, që kryeson po me 5 medalje të arta, por ekipi amerikan numëron gjithashtu edhe 12 medalje argjendi dhe 6 bronzi. Medalja e pestë e artë në Olimpiadën Nipone u mor në disiplinën më pak të pritshme të “mbretëreshës së sporteve”.

Pas triumfit të cmendur në garën më të shkurtër të këtyre Lojërave Olimpike, pra disiplinën e 100 metrave, Marcell Jacobs ndihmoi Italinë në një tjetër medalje të artë. Këtë herë 26-vjeçari teksan ishte vetëm i dyti në radhë, megjithatë sprinteri i lindur në El Paso e bëri shkëlqyeshëm punën e tij. Për të tjerat menduan shokët e tij të stafetës, por sidomos Filippo Tortu, që dogji në segmentin e fundit skuadrën britanike, për të regjistruar një sukses të paimagjinueshëm në garën e stafetës 4 X 100 metra.

Sikur të mos mjaftonte humbja e Wembley-t në kampionatin e fundit evropian apo dhe disfatat e njëpasnjëshme në kategori të ndryshme pikërisht nga sportistët italianë, goditjen më të fundit sportit britanik në Olimpiadën e Tokios ia dha 23-vjeçari milanez, Filippo Tortu, që rikuperoi në sprintin final, duke mposhtur në metrat e fundit 27-vjecarin londinez Nethaneel Mitchell – Blake.

Skuadra italiane e ndali kronometrin në kohën 37”50 dhe mundi për vetëm 0,01” stafetën britanike, duke thyer njëkohësisht edhe rekordin kombëtar të atletikës italiane, ndërkaq vendi i tretë u meritua nga ekipi kanadez, me kohën 37”70, falë sprinterit të mirënjohur Andre De Grasse, që rekuperoi në pjesën e fundit, duke kaluar Kinën dhe Xhamajkën.

Më herët në garën e 20 kilometrave ecje sportive për femra u kurorëzua gjithashtu edhe atletja tjetër italiane Antonella Palmisano, që triumfoi pikërisht në ditën e 30-vjetorit të saj me kohën 1h 29’ 12”. E dyta me afërsisht gjysmë sekonde diferencë u pozicionua atletja kolumbiane Sandra Arenas, ndërsa podiumi u plotësua nga sportistja kineze Liu Hong.

Në stafetën 4 X 100 metra për femra Xhamajka respektoi parashikimet, duke përmirësuar rekordin kombëtar të kësaj disipline, me kohën 41”02. Kështu ekipi nga Karaibet hodhi pas krahëve zhgënjimin e pesë vjetëve më parë, ku u mposht në finale në Rio de Janeira nga skuadra e Shteteve të Bashkuara. Në këtë mënyrë ndonëse formacioni i përzgjedhur rrezikoi ndjeshëm në këmbimin e fundit Shelly – Ann Fraser – Pryce dhe Shericka Jackson iu gëzuan medaljeve të tyre të para të arta në Olimpiadën e Tokios, ndërkohë pasi u bë e para sprintere që ia doli me sukses për të mbrojtur titujt në Lojërat Olimpike në 100 dhe 200 metra Elaine Thompson – Herah koleksionoi medaljen e tretë të artë në Stadiumin Olimpik të kryeqytetit japonez.

Shtetet e Bashkuara këtë herë u ngushëlluan në vendin e dytë me kohën 41”45, ndërsa medaljen e bronztë e meritoi skuadra britanike me kohën 41”88.

Në garën e 1500 metrave për femra favoritja e madhe ishte Sifan Hassan, që shpresonte shumë për t’u bërë e para atlete në histori që triumfonte në disiplinat 1500, 5.000 dhe 10.000 metra brenda një Olimpiade të vetme. Pas suksesit në garën e 5.000 metrave, ku mundi kenianen Hellen Obiri, 28-vjeçarja holandeze ndryshoi krejtësisht taktikë. Këtë herë sportistja me origjinë etiopiane preferoi ta udhëhiqte vetë garën, duke i imponuar kundërshtareve një ritëm tepër të lartë.

Taktikë e gabuar, ose ndoshta e menduar keq, pasi atletja keniane Faith Kipyegon e kaloi rivalen e saj Sifan Hassan në xhiron e fundit, për të vendosur edhe një rekord të ri olimpik, me kohën 3’53”11, duke mbrojtur në këtë mënyrë me sukses titullin e fituar në 2016 në Brazil. Hassan vuajti pasojat por edhe lodhjen, teksa u kalua gjithashtu edhe nga atletja britanike Laura Muir, kështu që në fund sportistja e mirënjohur me origjinë afrikane u ngushëllua me medaljen e bronztë, pothuajse 1,5” larg 28-vjecares skoceze, që theu njëherësh edhe rekordin e Britanisë së Madhe. Sportistja nga Bahamasi Shaunae Miller – Uibo u bë vetëm atletja e dytë në historinë e Lojërave Olimpike që mbron me sukses titullin në garën e 400 metrave.

27-vjeçarja nga Nassau vendosi një rekord për zonën, duke ndalur kronometrin në kohën 48”36. Marileidy Paulino e Republikës Dominikane fiksoi kohën 49”20, duke përmirësuar rekordin kombëtar të vendit të saj, ndërsa sportistja legjendare amerikane Allyson Fellix ia doli për të varur në gjoks medaljen e saj të 10 në historinë e olimpiadave. 35-vjeçarja kaliforniane konsiderohet si një ndër atletet më të famshme në historinë e “mbretëreshës së sporteve”, me 6 medalje të arta në Lojërat Olimpike dhe 18 medalje gjithsej në kampionatet botërore, 13 prej të cilave të arta.

Në hedhjen e shtizës triumfoi 27-vjeçarja kineze Liu Shiying që arriti rezultatin më të mirë sezonal 66,34 metra, që në hedhjen e saj të parë. E dyta u pozicionua polakja Maria Andrejczyk me 64,61 metra, ndërsa në shkallën e fundit të podiumit u ngjit kampionia në fuqi e botës, sportistja australiane Kelsey – Lee Barber, që humbi medaljen e argjendtë për thjesht 5 centimetra.

Në garën e fundit të 50 kilometrave ecje sportive në historinë e Lojërave Olimpike 31-vjeçari polak Dawid Tomala e përshkoi itinerarin e përcaktuar në Sapporo me kohën 3h 50’ 08”. I dyti me më shumë se gjysmë sekonde diferencë e kaloi vijën e finishit gjermani Jonathan Hilbert, ndërsa medaljen e bronztë e vari në qafë kanadezi Evan Dunfee.

Në fund në disiplinën e 5000 metrave fitoi Joshua Cheptegei, që në Rio e mbylli aventurën e tij vetëm në vendin e tetë. 24-vjecari i dhuroi medaljen e dytë të artë Ugandës në atletikë në këto lojëra, falë kohës 12’58”15, duke lënë prapa kanadezin Mohammed Ahmed dhe amerikanin Paul Chelimo, që u klasifikuan përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë.

Top Channel