Gjithçka mund të konsiderohet e kryer, Manchester City është duke realizuar transferimin rekord prej 100 milionë paundësh, plot 139 milionë dollar, për mesfushorin e Aston Villaa, Jack Grealish, me zyrtarizimin që pritet të vijë së shpejti. Kampionët e Premier League kishin bërë një ofertë për futbollistin e kombëtares angleze që në fund të korrikut, me lojtarin që ndodhet në Manchester për firmën.

Sipas medieve britanike, gjithçka pritet të kompletohet para përballjes së Citizens në Community Shield këtë të shtunë me Leicesterin. Firma me Grealish përfaqëson përforcimin me një nga talentët më premtues të futbollit anglez, me Guardilën që është një fans i tij që kur e përshkruante si një lojtar të jashtëzakonshëm në 2020.

Bashkë me sulmuesin e Tottenhamit, Harry Kane, City e kishte kthyer 25-vjeçarin në një nga prioritetet e merkatos këtë verë, me besimin se ai mund t’i japë një tjetër dimension një skuadre të ndërtuar me “yje”. Grealish demonstroi aftësitë e tij në Euro 2020, ku i shtoi forçë dhe frymëzim që nga stoli Anglisë dhe City beson se ai mund të japë akoma më shumë kualitet në një skuadër talentesh, që kërkon të fitojë Champions League, pasi dështuan në sezonin e fundit, kur u mundën në finale nga Chelsea.

Grealish ka qenë tek Aston Villa që kur ishte 6 vjeç dhe është përballur me një dilemë të madhe për të lënë klubin e fëmijërisë ku është rritur, por një lëvizje në “Etihad Stadium” përfaqëson një mundësi jete për një lojtar që mund të synojë titullin e Premier League-s e po ashtu edhe Championsin.

Grealish nuk e ka fshehur kurrë admirimin për Kevin de Buryne dhe ka një marrëdhënie miqësie të ngushtë me Phil Foden, shokun e tij të skuadrës tek Anglia, teksa puna me Guardiolën i jep atij mundësinë për të rritur edhe më tej progresin e tij si lojtar. Transferimi prej 100 milionë paundësh vendos një tjetër rekord të Premier League, duke eklipsuar 89 milionë paundët që Manchester United i pagoi Juventusit për Paul Pogba në vitin 2016-ën.

City-t me shumë mundësi do t’i duhet ta thyejë këtë rekord sërish nëse do t’ia dalë të finalizojë një marrëveshje për Harry Kane me Totenhamin, për një shumë që pritet të jetë edhe më e madhe.

Top Channel