Kurti: Reciprocitet të plotë ekonomik dhe politik me Serbinë

02/08/2021 15:17

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit me Serbinë, diçka që e kishte premtuar edhe para zgjedhjeve të cilat e nxorën fitues Lëvizjen Vetëvendosje.

“Tash, reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, besojmë që është një parim i shëndosh i marrëdhënieve midis shteteve që derivon nga koncepti i barazisë. Përveç kësaj, reciprocitetin nuk e kemi për të shtuar barriera por për t’i hequr ato ekzistuese dhe duam ta bëjmë në mënyrën të cilën nuk zhbëhet më. Se është e vërtetë që herën e kaluar e vendosëm gradualisht, gjithçka shkonte mirë, mirëpo më pastaj u kthye më keq se ç’kishte qenë ndonjëherë, kjo është arsyeja pse ne do ta vendosim reciprocitetin, nuk heqim dorë prej tij, reciprociteti tregtar është veç një element i reciprocitetit të plot politik ekonomik dhe tregtar, dhe këtë do ta bëjmë atëherë kur do të jemi të përgatitur”, ka thënë Kurti.

Për çështjen e reciprocitetit, Kurti ka thënë se duhet të përgatiten mirë në mënyrë që mos të dështojnë.

 “Zëvendësi im i parë, Besnik Bislmi ka përgatitur një dokument në mënyrë të thuket 11 shkeljet që ia bënë Serbia reciprocitetit me Kosovën në raportin tonë të ndërsjellë. Pra, ne edhe faktorëve ndërkombëtar ua kemi treguar këtë gjë, dhe po i japim kohë në mënyrë që reciprociteti nga i cili nuk kemi hequr dorë ta zbatojmë. Mirëpo në këto 100 ditë e para ne kemi pasur drejtor të ri të doganave, dhe ne duhet të përgatitemi maksimalisht sepse nuk mund të dështojmë sërish. Ju e dini në Kurti 1 e vendosëm reciprocitetin dhe qeveria e mëpastajme e hoqi reciprocitetin, nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotëni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept. Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë e të saktë të tij meqenëse kemi edhe barriera sporadike përveç atyre sistemike dhe na duhet të përgatitemi plotësisht”, ka thënë kryeministri Kurti.

Deklarimi i Kurtit për reciprocitetin në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është pasi u pyet nga deputeti i PDK-së, Fadil Nura se çka po ndodh me premtimin e Kurtit për reciprocitet me Serbinë, vendosja e së cilit, Kurti kishte deklaruar se do të bëhej menjëherë pasi të marrë drejtimin e qeverisë.

Top Channel