Pjesa më e madhe e qytetarëve shqiptarë kanë marrë vaksinën kineze Coronavac, e importuar nëpërmjet një distributori turk.

Por për shkak të frikës nga përhapja e mutacionit Delta, vetë Turqia, e cila aplikoi më herët Coronavac tek qytetarët e saj ka nisur që nga 1 korriku vaksinimin e tyre me dozën e tretë të vaksinës Pfizer.

Por a duhet që edhe shqiptarët të cilët janë vaksinuar me Coronavac të bëjnë një dozë të tretë? Epidemiologu Ilir Alimehmeti është pro vaksinimit me dozë të tretë për të gjithë ata që kanë marrë Coronavac.

Ilir Alimehmeti: Dhe studimet që po dalin nga Kina vetë, po shihet që efekti i saj është i ulët dhe me variantin Delta duhet përforcimi. Kështu rruga për të shkuar është strategjia që ka zgjedhur Turqia, pra dhënia e mundësisë për tu vaksinuar me një nga vaksinat AstraZeneca ose Pfizer që ne kemi në Shqipëri. Ndoshta kjo vlen vetëm për ata që nuk e kishin kaluar sëmundjen më parë.

Por Alimehmeti bazuar edhe në studime ndërkombëtare nuk është për vaksinimin e personave që e kanë kaluar koronavirusin, pasi sipas tij imuniteti natyral është më i fortë se ai që krijohet nga vaksina.

Ilir Alimehmeti: E përgjithshmja për viruset është që mbasi ka kaluar në mënyrë natyrore, vaksina nuk shton ndonjë efekt plus. Në fakt këtë e vërejmë edhe me Covid-19. Imuniteti natyror është dicka e fortë, dicka që zgjat, që nuk është i kufizuar vetëm në antitrupat IGM dhe IGG të cilat janë afatgjatë dhe cdo studim vazhdon dhe e tregon këtë.

Edhe Komiteti Teknik i Ekspertëve në vendin tonë është duke diskutuar mundësinë e vaksinimit të popullatës me një dozë të tretë por ende nuk ka vendimmarrje konkrete.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA