Pas vështirësive për të arritur te iraniani Sardar Azmoun, Roma ka gjetur sulmues në Serinë A, pasi ka arritur marrëveshjen me Genoan për transferimin e 26-vjeçarit nga Uzbekistani, Eldor Shomurodov.

Ky i fundit pritet të mbërrijë në kryeqytetin italian mëngjesin e të shtunës dhe të kryejë vizitat mjekësore para se të firmosë kontratën me verdhekuqtë e të nisë përgatitjet nën urdhrat e Jose Mourinhos.

Sipas mediave italiane, transferimi i Shomurodov bëhet mbi bazën e huazimit për shifrën e 2.5 milionë eurove, me Romën që ruan edhe të drejtën e blerjes për 17.5 milionë euro në fund të sezonit. Nga ana tjetër futbollisti do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare, nga e cila do të përfitojë 2 milionë euro neto në sezon, plus bonuset mbi paraqitjet, golat e shënuar dhe objektivat e arritur.

Me konfirmimin e Edin Dzekos dhe transferimin e Shomurodov, Roma “blindon” repartin e avancuar dhe pritet të përqendrojë vëmendjen në afrimin e një mesfushori, me Granit Xhakën që është i përzgjedhuri i Jose Mourinhos.

Top Channel