Ish-ylli i muzikës rinore koreano-jugore Kris Wu është ndaluar në Kinë i dyshuar për përdhunim, njoftonin sot autoritetet në Pekin.
Ish-anëtari i grupit të njohur korean EXO ishte akuzuar edhe më parë për joshje të vajzave të reja në marrëdhënie seksuale.
Wu, tashmë 30 vjeçar, është akuzuar publikisht nga një adoleshente kineze se ka bërë seks me të kur ajo ishte e pirë.
Wu i ka mohuar akuzat.
Adoleshentja thotë se shtatë vajza të tjera e kanë kontaktuar për t’i thënë se Wu i ka joshur ato me premtime të rreme për vende pune apo mundësi të tjera në fushën e muzikes apo ‘showbiz’.
Akuzuesja thotë se disa nga vajzat janë nën 18 vjeç, por nuk tha nëse janë në moshën e lejuar të marrëdhënieve në Kinë, që është 14 vjeç.
Në një deklaratë të policisë thuhej se Wu “është ndaluar për shkelje kriminale” si i dyshuar për përdhunim “në një reagim ndaj informacioneve të postuara në internet” duke përfshirë ato sipas të cilave “ka joshur vazhdimisht vajza të reja për të kryer marrëdhënie seksuale me to”.
Një ditë pas shfaqjes së intervistës akuzuese të adoleshentes, të paktën 10 kompani si Porsche e Louis Vuitton ndërprenë marrëveshjet dhe reklamat me Wu.
Sipas intervistës, vajza ishte takuar me Wu për mundësi pune e karriere.
Por në vend të diskutimit ai dhe stafi i tij, e kishin detyruar të pinte alkool.
Vajza nuk frekuentonte bare dhe kishte tolerancë të ulët ndaj alkoolit, kështu që pas dy pijeve nuk mbante mend më asgjë. Mëngjesin tjetër ishte zgjuar në krevatin e Wu.
Ai i kishte thënë se do të kujdesej për të dhe vajza kishte menduar se kjo ishte nisja e marrëdhënies mes tyre. Por pak më vonë ai ndaloi t’i dërgonte apo t’i përgjigjej mesazheve të saj.
Fillimisht ajo vetëm ndjente keqardhje për veten, por kur mësoi se dhe vajza të tjera ishin trajtuar në mënyrë të ngjashme, ajo vendosi të vepronte.
“Kjo nuk është më vetëm çështja ime personale. por është një problem i rretheve kineze të ‘showbiz’”, thotë vajza e paemëruar.
Top Channel