Milioneri pranon pengmarrjen e dështuar të gruas, pas mbytjes së bashkëpunëtorëve të pajtuar (fotot)

31/07/2021 18:30

Një milioner nga Louisiana në SHBA, ka pranuar planifikimin e pengmarrjes së gruas së tij, pasi dy bashkëpunëtorët që kishte pajtuar, gjetën vdekjen të mbytur në ujë teksa përpiqeshin t’i shpëtonin policisë.

Lawrence Michael Handley ka pranuar dy akuzat e pengmarrjes së gradës së dytë të bashkëshortes së tij Schanda Handley dhe bijës së saj 14-vjeçare, si dhe një akuzë pengmarrjeje të fqinjes së tij Michelle Chaisson, në gusht të vitit 2017.

Prokurorët thanë se Handley kishte pajtuar kundrejt pagesës Sylvester Bracey dhe Arsenio Haynes, të dy 27 vjeç, për të marrë peng Schanda nga shtëpia e saj në qytetin Lafayette më 6 gusht 2017.

Dy burrat e porositur nga Handley, hynë me dhunë në shtëpinë e objektivit të tyre por gjetën bashkë me Schanda, një fqinje të rritur, si dhe bijën e saj 14-vjeçare. Ata i prangosën ato dhe i lanë në shtëpi, ndërsa morën Schanda me vete me një furgon, tha prokurori i Louisiana, Donald Lundry.

Por autoritetet u vunë në ndjekje të furgonit kur mjeti po drejtohej në mënyrë të pakontrolluar, duke i nxitur ata të futeshin në një rrugë pa krye. Teksa tentonin t’u shpëtonin oficerëve, dy burrat më pas u hodhën në një kanal ujor ku ku ishin mbytur, njoftonte policia. Ndërsa Schanda u shpëtua nga furgoni prej oficerëve të policisë.

Handley i cili ka bërë pasurinë e tij në industrinë e teknologjisë si dhe duke shitur vitamina e suplemente ushqimore, u arrestua në një hotel më 11 gusht, teksa përpiqej të rezervonte një biletë avioni.

Detektivët kishin mbledhur prova të mjaftueshme ku tregohej se Handley kishte planifikuar pengmarrjen e Schanda, siç ishte marrja me qera e furgonit dhe blerja e prangave për pengmarrësit.

Sipas dokumenteve të publikuara nga rrjeti ‘USA Today’, çifti ishin martuar në 2006, por lidhja ishte prishur dhe Handley kërkoi divorcin në 2017, pas disa urdhrash mbrojtjeje ndaj burrit e gruas.

Handley ankohej se gruaja e tij kishte pajtur një vrasës me pagesë për ta eliminuar, ndërsa bashkëshortja ka thënë se Handley e gjurmonte nga celulari i saj duke instaluar programe përgjimi.

Dokumentet tregonin se Handley i kishte dërguar gruas mesazhe kërcënuese para pengmarrjes.

Ai tani përballet me deri në 35 vjet burg, në seancën e muajit që vjen.

FOTO GALERI
1/5
Lawrence Michael Handley ka pranuar dy akuzat e pengmarrjes së gradës së dytë të bashkëshortes së tij Schanda Handley dhe bijës së saj 14-vjeçare

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA