Fluturimi i parë me përkthyes afganë dhe punëtorë tjerë, që kanë bashkëpunuar me trupat amerikane në Afganistan, ka ateruar në Uashington, sipas një dokumenti të brendshëm të Qeverisë amerikane, të siguruar nga agjencia e lajmeve Associated Press.
Aeroplani me 221 shtetas afganë, përfshirë 57 fëmijë dhe 15 foshnja, sipas dokumentit, ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Uashingtonit në orët e para të 30 korrikut.
Sipas zyrtarëve amerikanë, ata pritet të qëndrojnë në Virxhinia për disa ditë.
Evakuimi i këtyre personave është duke u bërë pasi bashkëpunëtorët e forcave amerikane frikësohen se talibanët mund të hakmerren ndaj tyre, ndërkohë që përkeqësohet situata në Afganistan me largimin e trupave amerikane nga aty.
Talibanët kanë vrarë qindra afganë, të cilët kanë punuar me forcat ndërkombëtare dhe anëtarë e tyre të familjes, përgjatë viteve.
Muajin e kaluar, talibanët kanë pretenduar se afganët, që kanë punuar me trupat ndërkombëtare në të kaluarën, nuk do të shënjestrohen nëse “pendohen për veprimet e tyre në të kaluarën”.
Besohet se 300,000 civilë afganë kanë punuar me forcat ndërkombëtare prej pushtimit të udhëhequr nga SHBA-ja më 2001.
Fluturime të ngjashme si ai i 30 korrikut, pritet të realizohen derisa të përfundojë procesi i transferimit të afganëve që janë në proces të marrjes së vizave dhe kanë kaluar të gjitha fazat e sigurisë.
Top Channel