Portugalia drejt lehtësimit total të masave anti-COVID

29/07/2021 21:04

Portugalia do t’i heqë gradualisht gati të gjitha masat kundër koronavirusit, paralajmëroi të enjten kryeministri i këtij vendi, Antonio Costa.

Sipas të dhënave të Ministrisë portugeze të Shëndetësisë, 5.4 milionë njerëz – ose 52 për qind e popullatës së përgjithshme – janë vaksinuar plotësisht kundër sëmundjes që e shkakton koronavirusi, COVID-19.

Sipas parashikimeve të saj, synimi për vaksinimin e 70% të qytetarëve do të arrihet brenda gjashtë javësh, ndërsa 85% e tyre do të jenë plotësisht të vaksinuar në tetor.

“Ky është momenti kur ne mund të bëjmë një hap tjetër përpara”, tha kryeministri Costa në një fjalim televiziv.

“Do të përpiqemi ta lëvizim përpara ekonominë, në mënyrë graduale, në përputhje me ritmin e vaksinimit”, tha ai.

Sipas tij, tri fazat e lehtësimit të masave do të realizohen brenda tre mujave të ardhshëm.

Nga e diela, orët policore në vende të caktuara do të marrin fund, ashtu si edhe kufizimet në orarin e punës së restoranteve, dyqaneve dhe objekteve kulturore.

Megjithatë, njerëzit do të duhet të kenë certifikatën që janë të vaksinuar kundër koronavirusit ose të kenë test negativ, për të hyrë në restorante në fundjavë ose festa publike, kur zakonisht janë më të populluara.

Puna nga shtëpia do të rekomandohet dhe nuk do të jetë e detyrueshme.

Nga shtatori, maskat e fytyrës nuk do të jenë më të detyrueshme jashtë, ndërsa ambientet që organizojnë ngjarje publike, mund të rrisin numrin e njerëzve të pranishëm në 75% të kapaciteteve, nga 66%.

Baret dhe diskotekat, të mbyllura që 16 muaj, do të rihapen në tetor.

Numri i rasteve ditore me koronavirus në Portugali ka rënë ngadalë që nga java e kaluar. Të enjten u konfirmuan më pak se 3,000 raste.

Shkalla e infeksionit për 100,000 banorë gjatë 14 ditëve të fundit është 428.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA