Përfundon ura e nisur 13 vite më parë/ Bashkia e Tiranës përfundon projektin në njësinë Zall-Herr

29/07/2021 15:44

Banorët e Mëlçizës, të cilët deri dje rrezikonin jetën duke kaluar në një urë të dëmtuar këmbësorësh me dërrasa, nga dita e sotme do të lidhen me Zall-Herrin përmes urës së re të ndërtuar nga Bashkia e Tiranës.

Pas asfaltimit të segmentit rrugor që lidh, jo vetëm këtë fshat, por të gjithë Njësinë Administrative Zall-Herr me Tiranën, duke shkurtuar tashmë në vetëm 16 minuta distancën me kryeqytetin, ka përfunduar edhe ndërtimi i urës beton arme që lidh dy brigjet e lumit të Tërkuzit, e gjitha në një kohë rekord vetëm pak muaj nga hapja e kantierit.

Veliaj: Ishim para pak muajsh me kryeministrin në shtëpitë e reja në Zall Herr dhe batuta që bënte rrugës kur po shkonim tek shtëpitë që ishin ndërtuar ishte, “ku po më çoni në fund të botës?” Në fakt, çdo gjë quhet fundi i botës kur nuk ka infrastrukturë, përfshirë edhe një fshat si Mëlçiza që është vetëm 15 minuta nga qendra e Tiranës, por duke qenë se duhet të shkoje dhe ta kaloje lumin aty ku ishte cektësira dhe të futeshe në lumë për të dalë në anën tjetër, sepse rruga e këmbësorëve nuk mund të përdorej, çdo gjë dukej fundi i botës. Ndaj më vjen mirë që Mëlçiza nuk është më fundi i botës.

Punimet për ndërtimin e urës kishin filluar rreth 13 vite më parë, sipas një projekti të realizuar në vitin 2007, ku u ngritën vetëm këmbët e urës dhe puna ishte lënë në mes. Me projektin e ri janë realizuar punimet e mbistrukturës, si dhe janë realizuar punimet shtesë për mbrojtjen e pilotave dhe ndërtimin e një prite poshtë aksit te urës për mbrojtjen nga gërryerjet e mëtejshme të shtratit të lumit.

Top Channel