Conference League/ Shkëndija e mbyll me Europën, Drita largohet me kokën lart, kalon Prishtina

29/07/2021 23:41

Zhgënjen Shkëndija e Tetovës, që ndryshe nga sa na kishte mësuar në edicionet e fundit, këtë herë humbi të katër ndeshjet e luajtura në Europë dhe për më tepër, nuk arriti të shënojë asnjë gol të vetëm.

Në “Tose Proeski” të Shkupit, kuqezinjtë kishin paralajmëruar përmbysjen e madhe ndaj letonëve të Rigës, pasi kishin humbur ndeshjen e parë me rezultatin 2-0, por nuk arritën të bëjnë asgjë dhe për më tepër, pësuan një tjetër disfatë, këtë herë me shifrat minimale 0-1.

Ernest Gjoka kishte guxuar me hedhjen në fushë të një formacioni sulmues, me dyshen Ibraimi-Hebaj, që mbështetej nga Nafiu e Doriev nga krahët, megjithatë pavarësisht disa tentativave, nuk arritën të shfaqen rrezikshëm në zonën e Rigës.

Nga ana tjetër miqtë bënë një ndeshje të kujdesshme, të ndihmuar edhe nga avantazhi i dy golave, teksa në nëj kundërsulm në minutën e 52-të, ishte Siosalo që dërgoi topin në rrjetën e portës së Zahov, duke vulosur kualifikimin e të tijve dhe “vrarë” shpresat e Shkëndijës. Klubi shqiptar nga Tetova i jep fund kështu aventurës europiane me një paraqitje tërësisht për t’u harruar, teksa pas eliminimit në Ligën e Kampionëve nga sllovenët e Mura-s, patën të njëjtin fat edhe në turin e dytë eliminator të Conference League, përballë letonëve të Rigës.

Drita “flirton” me kualifikimin përballë holandezëve të Feyenoord, pasi bëri një tjetër 90-minutësh fantastik edhe në Roterdam, por në fund u mposht 3-2 dhe i dha lamtumirën Conference Leagues në mënyrë dinjitoze. Pas barazimit pa gola një javë më parë në “Fadil Vokrri” të Prishtinës, skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiji luajti me kokën lart edhe në Roterdam, ku ndonëse kaloi në disavantazh që në minutën e 7’, nuk u tremb aspak dhe përmbysi rezultatin në harkun e pak minutave.

Në minutën e 12’ ishte sulmuesi nga Maqedonia e veriut, Simonovski që riktheu baraspeshën, ndërsa në të 156-ën ishte veterani Astrit Fazliu që u dha avantazhin gjilanasve, duke bërë që holandezët të heshtin në shtëpinë e tyre. Megjithatë sulmuesi 23-vjeçar Guus Til u bë protagonist për Feyenoord, sepse pas golit të parë në fillim të ndeshjes, shënoi edhe dy herë në pjesën e dytë, konkretisht në të 68-ën dhe të 90-ën, duke përmbysur gjithçka dhe çuar holandezët në turin tjetër eliminator.

Avancon në turin tjetër Prishtina, që pavarësisht humbjes 4-2 në transfertën uellsiane ndaj Connahs, siguroi kualifikimin falë fitores me një gol më tepër diferencë, të arritur një javë më parë në “Fadil Vokrri”. Kryeqytetasit kishin avantazhin e suksesit 4-1 në ndeshjen e parë dhe e morën me qetësi ndeshjen, teksa pavarësisht golit të shpejtë të vendasve, përmbysën gjithçka në pjesën e parë, me dy golat e Krasniqit.

Megjithatë në pjesën e dytë Connahs ishte perfekt, duke arritur të dërgojë tre herë topin në rrjetën e Prishtinës dhe duke bërë mjaft emocionuese 10 minutat e fundit, por vërshëllima finale e arbitrit bëri që kryeqytetasit e Kosovës të avancojnë më tej, ku do të gjejnë norvegjezët e Bodo/Glimt.

Top Channel