Eden Hazard, tani ose kurrë. Ancelotti kërkon të marrë maksimumin nga futbollisti belg dhe në bashkëpunim me pregatitësin atletik, Pintus, ka përgatitur një plan të rreptë në mënyrë që të riçojë belgun në standardet e disa viteve më parë, kur Reali shpenzoi mbi 100 milionë euro për t’ia marrë Chelseat. Investim që, deri tani, nuk është kthyer, pasi 5 gola në dy vjet janë fotografia e një dështimi.

Për Hazard ky është shansi i fundit, futbollisti e di mirë që nuk do të ketë rrufepritësin mediatik që i garantonte Zidane, që gjithmonë e ka mbrojtur, dhe është i vetëdijshëm që do t’i mbërrijnë oferta dhe Real Madridi do t’i vlerësojë. Me pak fjalë, durimi është sosur, edhe për faktin se Europiani nuk e ndihmoi, pasi nuk shkëlqeu dhe nuk arriti ta luajë si duhet trofeun pa rënë në dëmtimet kronike muskulare.

Reali e ka dërguar në një klinikë në Belgjikë, gjatë pushimeve, të specializuar në trajtimin e problemeve në gju dhe kavilje, për të kuruar atrititn që i është krijuar pas dëmtimit. Gjithsesi, edhe pse Hazard ka besim te mjekët belgë, bosi te Reali për këto gjëra është Antonio Pintus. Një nga përgatitësit më të mirë atletikë në botë, por njëkohësisht edhe një ndër më të rreptët. Këtë here, siç bëjnë të ditur mediat spanjolle, nuk do të bëjë përjashtime dhe sapo stafi mjekësor t’i japë dritë jeshile Hazardit për t’u rikthyer në stërvitje, futbollistit do t’i duhet të djersijë shumë, do të jetë i detyruar në teste të përditshme, force elasticiteti, shpejtësie dhe rezistence.

Mesfushori ka marrë detyrat e shtëpisë që të rikthehet në Valdebebas për të rinisur përgatitjet nga një bazë e mirë fizike. Reali pretendon që ky parakampionat për të të jetë shumë i ndryshëm nga dy të mëparshmit, përndryshe do të shitet.

Top Channel