Shpëtim Duro mbetet me këmbë në tokë. Pavarsisht suksesit 1-0 në ndeshjen e parë të turit të dytë të Conference League ndaj Universitateas së Craiovës dhe problemeve që kanë patur rivalët në ditët e fundit, në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide trajneri i kurbinasve theksoi se Universitatea mbetet favorite për kalimin e turit, edhe pse Laçi do të japë maksimumin në këtë sfidë.

“Është ndeshje e fortë, duke pasur parasysh pretendimet e kundërshtarit. Ka qenë favorite në letër. Në ndeshjen e parë shkoi gjithçka mirë, por na pret betejë e ashpër në Kraiovë, por ne do bëjmë maksimumin dhe të shohim si do shkojë ndeshja.

Kemi bërë 6 javë përgatitje dhe për dy javë kemi bërë 3 ndeshje dhe pjesa pozitive është se nuk kemi asnjë dëmtim, skuadra është e plotë. Skuadra është me moral të mirë pas ndeshjes së parë dhe është hapur oreksi për të bërë mirë ndeshjen e dytë. Të japim maksimumin, pastaj të shohim si shkon ndeshja”, përfundoi Duro.

Top Channel