Tokio vijon të dhurojë emocione me disiplinat e Olimpiadës që evidentojnë më të mirët e çdo kategorie. Adam Peaty u bë i pari notar britanik që mbrojti një titull olimpik, duke fituar medaljen e artë në stilin 100m bretkosë për meshkuj, me kohën e pestë më të shpejtë në gjithë historinë.

26-vjeçari konsiderohej favorit dhe justifikoi pritshmëritë, duke ndalur kronometrin në 57 sekonda e 37 të qindtat, para holandezit Arno Kamminga, që realizoi distancën për 58 sekonda, ndërsa medalja e bronzit shkoi për Italinë, e fituar nga Nicolo Martinenghi, që u rendit i treti.

Kanadezja Margaret MacNeil shpërtheu në garën e femrave 100 metra stil flutur, për të fituar medaljen e artë me kohën e tretë më të shpejtë në histori, duke rrëzuar nga froni suedezen Sarah Stjorsom, që ishte kampionia në fuqi dhe mbajtësja e rekordit botëror. MacNeil dhuroi një paraqitje fantastike me një shpejtësi mbresëlënëse në 50 metrat e fundit, për të arritur në finish me kohën 55 sekonda e 59 të qindtat, duke lënë pas kinezen Zhang Youfei me kohën 55 sekonda e 64 të qindtat, ndërsa australiania emma McKeon mori medaljen e bronzit.

Ariarne Titmus e bëri ditën më të bukur për britanikët pas triumfit të Adam Peaty, pasi triumfoi ndaj notares së madhe amerikane, Katie Ledecky, duke fituar medaljen e artë në garën e 400 metrave stil i lirë për femra. Ledecky vinte në Japoni pasi kishte fituar 4 medalje të arta dhe një argjendi në “Rio 2016”, por Titmus e ka sfiduar gjatë gjithë këtyre viteve pasi i rrëmbeu titullin botëror në 2019, ndërsa tani dhe medaljen e artë në Olimpiadë.

Ylli amerikan, Caeleb Dresel, bëri debutimin e tij në Tokio me një nisje fantastike të garës 4 X 100 metra stafetë për meshkuj, duke udhëhequr skuadrën e tij në fitimin e medaljes së artë me një paraqitje e denjë për stilin e Michael Phelps. Dressel, 13 titujt botërorë të të cilit kanë sjellë krahasimet e paevitueshme me Phelps, fitues i 8 medaljeve të arta dhe 23 medaljeve në total, në këtë Olimpiadë synon 7 medalje.

Kristian Blummenfelt i Norvegjisë fitoi medaljen e artë në triathlon në një garë të trazuar nga një start fals. 27-vjeçari, i pari Norvegjez që fiton një medalje në Triathlon, arriti në finish me kohën 1 orë, 45 minuta dhe 4 sekonda, para se të shpërthente në festime, edhe pse i sfilitur, për këtë arritje fantastike.

Japonezja Momiji Nishiua u bë një nga medalistet më të reja olimpike në histori, pasi fitoi medaljen e artë në garën inauguruese të skateboardit për femra në moshën 13 vjeç e 330 ditë. Nishiya fitoi ndaj rivales braziliane Rayssa Leal, e cila në moshën 13 vjeç e 203 ditë, mund të bëhej medalistja më e re olimpike në histori, ndërsa në vend të tretë u rendit japonezja tjetër, Funa Nakayama, 16-vjeçare.

Favoritja e shtëpisë, Naomi Osaka, vazhdon rrugëtimin e saj në kërkim të arit olimpik, pasi kaloi në raundin e tretë të tenisit në Lojërat e Tokios me një fitore në shifrat 6-3, 6-2 ndaj Zviceranes Viktorija Golubic. Fiji nisi mbrojtjen e titullit të 7 olimpik në regbi për meshkuj me një ndeshje ku për pak u eliminua nga dy lojtarë nga Fiji, por që përfaqësojnë Japoninë në Olimpiadën e Tokios.

Dy atletët e lindur në Fixhi, Lote Tuqiri dhe Kameli Soejima çuan Japoninë në avantazh 19-12, duke i rënë kambanave të alarmit për favoritët e mëdhenj, por më pas Ishujt Fixhi u rikthyen fuqishëm edhe falë përpjekjeve të Waisea Nacuqu rimorën kryesimin për ta fituar ndeshjen me rezultatin 24-19.

Top Channel