Ndërsa numri i rasteve të reja të koronavirusit po rritet përsëri në Shtetet e Bashkuara, organizatat kryesore të mjekësisë në vend bënë thirrje të hënën për vaksinime të detyrueshme të miliona punonjësve të kujdesit shëndetësor, duke thënë se është një domosdoshmëri morale për të ndihmuar në frenimin e përhapjes së infeksionit.
Shoqata Amerikane e Mjekëve, Shoqata Amerikane e Infermierëve dhe 55 grupe të tjera thanë në një deklaratë të përbashkët se “ne bëjmë thirrje që të gjithë organizatat e kujdesit shëndetësor dhe kujdesit afatgjatë të kërkojnë që punonjësit e tyre të vaksinohen kundër COVID-19.”
Grupet, shumë prej të cilëve bëjnë thirrje për herë të parë për vaksinime të detyruara thanë se “shëndeti dhe siguria e punonjësve të SHBA-së, familjeve, komuniteteve dhe vendit varet nga një gjë e tillë.”
Disa organizata të kujdesit shëndetësor kanë hezituar t’u kërkojnë me detyrim punonjësve të vaksinohen, edhe pse ata janë në vijat e para të trajtimit të pacientëve.
Sondazhet kanë treguar se më pak se gjysma e infermierëve që trajtojnë pacientët janë vaksinuar edhe pse ata kanë patur qasje tek vaksinat prej muajsh.
Deklarata e grupeve mjekësore vjen ndërsa Shtetet e Bashkuara po përballen me një rritje të mprehtë të numrit të rasteve të reja me COVD-19. Në 48 nga 50 shtetet ka patur një rritje prej 10% ose më shumë të infeksioneve javën e fundit. Në të gjithë Shtetet e Bashkuara, numri i rasteve të reja gati është katërfishuar në korrik, nga rreth 13,000 raste në ditë në më shumë se 50,000 aktualisht.
Rritja është theksuar veçanërisht në shtetet me norma të ulëta vaksinimi dhe ndërsa varianti Delta i virusit, i zbuluar së pari në Indi, është përhapur në Shtetet e Bashkuara.
Eksperti i lartë i sëmundjeve infektive amerikane, Dr. Anthony Fauci, tha të dielën Shtetet e Bashkuara “po shkojnë në drejtimin e gabuar”, me rastet e COVID-19.
Duke folur në CNN zoti Fauci tha se, “Pesëdhjetë përqind e vendit nuk është vaksinuar. Kjo është problematike.”
“Ne po e vëmë veten në rrezik,” tha Fauci, këshilltari kryesor për shëndetësinë i Presidentit Joe Biden.
Ai tha se njerëzit e vaksinuar “janë shumë të mbrojtur”, përfshirë edhe nga varianti Delta. Por ritmi i vaksinimeve ka rënë në SHBA me më shumë se 80% që nga mesi i prillit./VOA/
Top Channel