Në shumë vende të Evropës ku është hasur sërish rritje e numrit të rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19), janë duke u shtrënguar masat dhe kufizimet në kuadër të luftës kundër pandemisë.

Anadolu Agency (AA) ka përpiluar zhvillimet e fundit në vendet evropiane rreth pandemisë së COVID-19.

Pavarësisht programit të përhapur dhe intensiv të vaksinimit, rastet me COVID-19 të shkaktuara nga varianti më ngjitës, Delta, në vendet evropiane janë në rritje ndërsa kjo ka shtyrë që qeveritë të marrin masa të reja.

Rastet në Gjermani në fillim të muajit ishte nën 1.000 ndërsa nga 14 korriku numri filloi të rritet mbi këtë shifër.

Më 14 korrik numri i rasteve ishte 1.548 ndërsa më 21 korrik arriti kulmin për muajin përkatës me 2.203 raste.

Instituti Robert Koch (RKI) njoftoi se përqindja e variantit Delta në rastet e reja është ngritur në 84 për qind.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se është shqetësuese rritja e rasteve me COVID-19, duke u bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.

Ndërkaq, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn paralajmëroi për rritje serioze të rasteve me COVID-19 në muajt e ardhshëm.

Nga ana tjetër RKI kërkoi nga qeveria që të marrë masa, duke paralajmëruar se rastet mund të shënojnë rritje në vjeshtë dhe dimër.

Në vend secili shtet federal përcakton vetë masat kundër COVID-19. Ndërkohë detyrimi për të mbajtur maska në hapësirat e brendshme, transportin publik si dhe respektimin e distancës.

Në kuadër të fushatës së vaksinimit në Gjermani, 50.406.782 persona kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 ndërsa 40.367.107 dozën e dytë. Kështu, 60,6 për qind e popullsisë është vaksinuar me dozën e parë dhe 48,5 për qind me dozën e dytë.

Rastet në Belgjikë sërish në rritje në fillim të korrikut

Në Belgjikë, ku rastet në javën e 22 marsit shënuan rritje dhe arritën deri në 5.000, shënuan ulje me masat dhe përshpejtimin e vaksinimit. Qeveria në maj dhe qershor shumicën e masave i lehtësoi, por në fillim të korrikut rastet sërish shënuan rritje.

Sipas mesatares së të dhënave javore të publikuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, në javën e 15-21 korrik numri i rasteve të reja është rritur për 19 për qind duke arritur në 1.407.

Qeveria duke filluar nga 13 gushti do të fillojë të shpërndajë një lloj bilete që tregon informacionet nëse vallë një person është plotësisht i vaksinuar, ka tejkaluar sëmundjen dhe është shëruar ose ka test negativ. Qytetarët belgë do të mund të marrin pjesë në aktivitete me këtë biletë.

Sipas të dhënave të Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC), në mesin e vendeve të Bashkimit Evropian (BE) Belgjika renditet e treta me më së shumti vaksinime, ku 82,7 për qind e popullsisë kanë marrë dozën e parë ndërsa 62,7 për qind janë vaksinuar plotësisht.

Greqi, rastet në rritje ashpërsuan kufizimet

Në Greqi, në periudhën e fundit, për shkak të rritjes së shpejtë të rasteve me COVID-19, është vendosur zbatimi i shumë masave të reja përfshirë ashpërsimin e kufizimeve e veçanërisht detyrimin e vaksinimit.

Me rregulloren ligjore të miratuar në parlament, duke filluar nga 1 shtatori, është bërë e detyrueshme që personeli shëndetësor dhe punonjësit shtëpive të pleqve të vaksinohen.

Në rast të rritjes së mëtejshme të rasteve, qeveria planifikon që detyrimin e vaksinimit ta zgjerojë edhe tek punonjësit e sektori privat dhe të arsimit.

Në kuadër të masave të reja, duke filluar nga 16 korriku, në vendet e mbyllura si teatrot, palestrat dhe vendet e argëtimit do të mund të hyjnë vetëm personat e vaksinuar. Gjithashtu edhe në pjesët e mbyllura të restoranteve, kafeneve dhe bareve nuk do të lejohen personat e pavaksinuar. Punonjësit që nuk pranojnë të vaksinohen do të pezullohen dhe gjobat që variojnë nga 50 mijë deri në 200 mijë euro do të vendosen për ata që nuk respektojnë ndalimet.

Nga ana tjetër, për shkak të rritjes serioze të rasteve në ishujt e Egjeut, me ndikimin e hapjes së sezonit turistik në Greqi, në disa rajone kufizimet janë rritur ndërsa në ishullin Mikonos, në një qendër të rëndësishme turistike sërish është vendosur orë policore.

Për shkak të kufizimeve të shumta që zbatohen në ishull, pronarët e bizneseve dhe turistët janë duke përjetuar habi, ndërsa janë anuluar mijëra rezervime. Turistët e huaj të ndikuar nga ndalesat janë larguar nga ishulli.

Në Greqinë me popullsi prej 11 milionë banorësh që nga fillimi i pandemisë janë raportuar 471.894 raste si dhe 12.882 vdekje.

Në vend rreth 44 për qind e popullsisë ka përfunduar procesin e vaksinimit.

Britania ndryshe nga vendet tjera heq kufizimet

Pavarësisht rasteve në rritje të COVID-19 në Britani gjatë javëve të fundit, kufizimet e fundit të COVID-19 të zbatuara brenda planit me katër faza u hoqën më 19 korrik.

Duke filluar nga 19 korriku, i njoftuar si data e normalizimit në vend dhe të cilin kryeministri britanik e quajti “Dita e Lirisë”, rregulla e distancimit prej 1 metër dhe mbajtja e maskës është hequr. Përkundër, ende rekomandohet mbajtja e maskave në vende me shumë njerëz si transporti publik.

Ekspertët ndajnë shqetësimin se varianti Delta i cili përbën 99 për qind të rasteve në vend mund të shkaktojë “valën e tretë” me heqjen e kufizimeve.

Mbi 600 mijë persona në Angli dhe në Uells, të cilët e përdorin aplikacionin COVID-19 të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë kanë pranuar mesazhe paralajmërimi që të vetëizolohen pasi kanë pasur kontakt.

Nga ana tjetër kryeministri britanik Boris Johnson dhe ministri i Financave, Rishi Sunak do të qëndrojnë në karantinë deri më 26 gusht pasi kanë qenë në kontakt me ministrin e Shëndetësisë, Sajid Javid, testi i të cilit rezultoi pozitiv më 17 korrik.

Në kuadër të programit të vaksinimit të filluar më 8 dhjetor 2020, mbi 46 milionë persona kanë marrë dozën e parë si dhe mbi 36 milionë dozën e dytë.

Me rihapjen e vendeve të argëtimit në Austri, rastet me COVID-19 janë rritur

Numri i rasteve ditore, të cilat ranë nën 50 në fund të qershorit, shënuan rritje veçanërisht me rihapjen e lokaleve të argëtimit që shërbejnë natën. Në vendin ku numri i rasteve ditore arrin në 400, varianti Delta është parë në shumicën e të infektuarve me virus.

Pavarësisht rritjes së rasteve qeveria vazhdon të heq masat. Mbajtja e maskave është hequr në vendet e punës dhe qendrat tregtare.

Në vend deri më tani mbi 5 milionë njerëz kanë marrë dozën e parë të vaksinimit, numër i cili për dy doza vaksinë arrin deri në 4,2 milionë.

Austria me popullsi prej rreth 9 milionë banorë nuk ka detyrim për vaksinim ndërsa përqindja e të vaksinuarve të plotë arrin në mbi 53 për qind.

Në Itali rastet filluan të rriten me shpejtësi në korrik

Rastet ditore me COVID-19, të cilat ishin nën 1.000 në fillim të korrikut, u rritën në mbi 5 mijë që nga 22 korriku.

Instituti i Lartë Italian i Shëndetësisë (ISS) në raportin e fundit javor, njoftoi se varianti Delta vazhdon të përhapet në vend, duke prekur grup-moshat e reja.

Përveç kësaj, pasi kombëtarja e Italisë në futboll u bë kampione në “EURO 2020” dhe ky sukses u festuar më 11-12 korrik me turma, tregohet si një shkak i fuqishëm në rritjen e rasteve.

Qeveria e kryesuar nga Mario Draghi do të fillojë zbatimin e dokumentit “Green Pass” (Leje e Gjelbër) duke filluar nga 6 gushti, që do të kërkojë vaksinim për hyrjen në aktivitetet shoqërore, për të mos ndaluar sërish aktivitetet ekonomike.

Me këtë, personat që kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës do të posedojnë leje 9-muajshe. Ata të cilët kanë kaluar COVID-19 do të kenë 6 muaj ndërsa ata që do të testohen do të sigurojnë këtë dokument vetëm për 48 orë.

Ata që nuk do të posedojnë dokumentin në fjalë nuk do të mund të hyjnë në vende të mbyllura.

Vaksinimi në vend filloi më 27 dhjetor 2020 ndërsa deri më tani janë administruar mbi 64 milionë doza të vaksinave, prej të cilëve mbi 29 milionë janë plotësisht të vaksinuar.

Spanjë, rastet ditore janë mbi 30 mijë

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Ministria spanjolle e Shëndetësisë, në 24 orët e fundit në vend janë raportuar 31.171 raste, duke e çuar numrin e përgjithshëm në mbi 4,2 milionë.

Kundër rritjes së rasteve administratat rajonale kanë filluar të marrin masa në nivel lokal. Në rajonet e Katalonjës dhe Valencias, bashkitë kanë vendosur orë policore në mbrëmje kurse në Galicia do të kërkohet dokument për vaksinim ose test negativ në pjesët e mbyllura të bareve dhe kafeneve.

Fushata e vaksinimit në Spanjë filloi më 27 dhjetor 2020. Deri më tani mbi 25,3 milionë qytetarë janë vaksinuar plotësisht.

Në Francë rastet me COVID-19 në rritje të shpejtë

Me fillimin e valës së tretë të pandemisë së COVID-19 vendi duke filluar nga shkurti u mbyll. Më pas me uljen e numri të rasteve në maj filluan të hiqen kufizimet gradualisht përfshirë edhe mbajtjen e detyruar të maskave në rrugë.

Përveç kësaj, zbatimi i licencës shëndetësore të COVID-19 u vu në fuqi për të hyrë në koncerte dhe ngjarje të ngjashme ku marrin pjesë mijëra njerëz.

Me ligjin e miratuar në Kuvendin Kombëtar, në Francë në të gjitha aktivitetet sociale me mbi 50 pjesëmarrës dhe hyrjen e vendeve të mbyllura, në përdorimin e transportit publik ka filluar detyrimi për të treguar dokument që tregon se personi është vaksinuar ose test negativ PCR i bërë në 48 orët e fundit ose se e ka kaluar sëmundjen në 6 muajt e fundit.

Detyrimi për vaksinim dhe dokument për COVID-19 është protestuar në shumë qytete të vendit me pjesëmarrjen e qindra mijëra njerëzve.

Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë së vendit tregojnë se në fushatën e vaksinimit të filluar më 27 dhjetor 2020 deri më tani janë aplikuar mbi 32,7 milionë doza të dyta ose të treta. Gjithsej janë administruar mbi 68,8 milionë vaksina.

Hungari, duke filluar nga 1 gushti do të mund të merret termin për dozën e tretë

Në Hungarinë me rreth 9,7 milionë banorë, kundër COVID-19 deri më tani janë administruar dy doza të vaksinës për mbi 5,5 milionë njerëz.

Për shkak të përqindjes së madhe të vaksinimit dhe numrit të ulët të rasteve më 2 korrik në vend u hoq detyrimi për mbajtjen e maskës në vendet e mbyllura.

Detyrimi për maska në vend zbatohet vetëm në spitale dhe institucionet sociale.

Vendi ka sjellë detyrim për vaksinimin e personelit shëndetësor ndërsa duke filluar nga 1 gushti do të mund të merret termin për dozën e tretë.

Bosnjë e Hercegovina, Mali i Zi, Serbia

Në Bosnjë Hercegovinë, e cila u vonua në furnizimin e vaksinave si dhe administrimin e tyre, vetëm 5 për qind e popullatës është vaksinuar. Zyrtarët kanë njoftuar se nuk planifikojnë të sjellin detyrim për vaksinim ndërsa shtetasit që nuk mund të presin radhën për vaksinim, në Serbinë fqinje vaksinohen falas.

Në Mal të Zi, me dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 deri më tani është vaksinuar 36,6 për qind e popullatës së rritur ndërsa janë rivaksinuar 32,5 për qind.

Deri më tani janë dhënë 315.653 doza të vaksinës kundër koronavirusit. Dozën e parë të vaksinës kundër COVID-19 në Mal të Zi e kanë marrë 167.235 qytetarë ose 27 për qind ndërsa dozën e dytë 148.418 ose 23,9 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Vendi deri më tani ka raportuar 100.865 raste si dhe 1.624 të vdekur nga virusi. Për shkak të rritjes së rasteve në vend klubet e natës janë mbyllur deri më 2 gusht.

Ndërkaq, Serbia e cila ka vaksinuar 38,2 për qind të popullatës, pritet që më 1 gusht të vendoset për administrimin e dozës së tretë. Serbia ka njoftuar se duke filluar nga 24 korriku do të lejojë shtetasit e 16 vendeve, përfshirë Turqinë të hyjnë në vend me dokument që tregon se kanë kaluar COVID-19./ Marrë nga AA/

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA