Paraqitja spektakolare e Rey Manajt në debutimin e tij me skuadrën e parë të Barcelonës, pikërisht në miqësoren ndaj Gimnastic të Tarragonës, ka bërë që për sulmuesin shqiptar të interesohen klube të njohura. Barcelona është në mëdyshje se çfarë duhet të bëjë me Rey Manajn, ta mbajë në ekipin e parë pas sezonit shumë pozitiv që zhvilloi Barcelonën B dhe tregolëshit në miqësoren ndaj Nastic apo ta huazojë në një klub tjetër në mënyrë që shqiptari të ketë më shumë hapësira dhe të rritet më tepër si futbollist.

Manaj ka një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh nga katalanasit shifër që me siguri nuk mund ta paguajë asnjë ekip për momentin aq më tepër që kriza ekonomike prej pandemisë COVID-19, ka prekur të gjitha klubet e futbollit, përfshirë edhe Barçën që ka probleme dhe kërkon të shesë emra të njohur, si Griezmann, Pjanic apo Braithwaite.

Sëfundmi në skenë për të marrë shërbimet e Rey Manajt përveç Sassuolos ka dalë edhe një klub tjetër i Serie A. Bëhet fjalë për Venezian e Paolo Zanettit që është rikthyer në elitë pas gati dy dekadash. Mbetet për t’u parë formula me të cilën do të tentojnë këto dy klube për të afruar Manajn dhe përgjiigjia që do të japë Barcelona.

Për sulmuesin e kombëtares shqiptare nëse arrihet akordi me Sassuolon ose Venezian do të ishte një rikthim në Serie A, pasi Manaj ka dalë nga akademia e Interit dhe ka debutuar me zikaltrit në kampionatin italian ndërkohë që po në Serie A ka mbajtur veshur edhe fanellën e Pescarës ndërsa në Itali ka luajtur edhe me Pisan në Serie B dhe Cremonesen.

Top Channel