Pas zhgënjimit në Euro 2020 me Francën, Karim Benzema mbylli pushimet dhe u rikthye dje në Madrid për të nisur fazën përgatitore, por gjërat nuk kanë shkuar sipas planit dhe vënia e tij nën urdhrat e Carlo Ancelottit është shtyrë me disa ditë.

Kjo pasi sulmuesi 33-vjeçar ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit dhe është vënë menjëherë në izolim, ndërsa rikthimi në fushën e stërvitjes pritet të ndodhë vetëm në fillim të muajit gusht, pasi të ketë kryer edhe disa ekzaminime të tjera shtesë.

E ndërkohë që Benzema qëndron në izolim, drejtuesit e Realit të Madridit janë vënë në lëvizje për të negociuar rinovimin e kontratës së tij me një tjetër sezon dhe për ta zgjatur vlefshmërinë deri në qershor të 2023-shit.

Sulmuesi do të nisë sezonin e 12 me fanellën e Los Blancos, të cilën e veshi për herë të parë në verën e 2009-ës dhe që atëherë numëron 559 ndeshje dhe plot 279 gola të shënuar.

Top Channel